Ndërlidhjet

WSJ: Nxitja e gjenocidit është krim


Demonstrues izraelitë duke protestuar para ambasadës para ambasadës ruse në Tel Aviv...
Demonstrues izraelitë duke protestuar para ambasadës para ambasadës ruse në Tel Aviv...
" Wall street journal"

Shumë nga krimet e Iranit dihen mirëfilli nga amerikanët dhe vëzhguesit në botë.

Regjimi i Teheranit dëshiron të ndërtojë armë bërthamore me gjithë nënshkrimin e Traktatit të Mos-Përhapjes së Armëve bërthamore; mbështet aksionet brutale të Bashar Al Asadit kundër popullit të vet; është sponsorizuesi kryesor i terrorizmit që ka vrarë të pafajshëm nga Argjentina në Liban, Afganistan e përtej; është angazhuar në represion masiv vendor.

Megjithatë, më pak dihet për retorikën gjenocidale antisemite dhe anti-izraelite të Iranit, e cila paraqet ndër krimet më serioze nën ligjin ndërkombëtar.

Konventa për Gjenocid e Kombeve të Bashkuara ndalon jo vetëm aktet e gjenocidit, por edhe "nxitjen" e gjenocidit, një kundërvajtje e jashtëzakonshme, pavarësisht asaj nëse ka ndodhur apo ende jo gjenocidi.

Qëllimi i Konventës, natyrisht, është për të parandaluar gjenocidin para se të bëhet. Tragjikisht, paralajmërimet për krimet në Ruandë qenë injoruar nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

Si pasojë, 800 mijë civilë të pafajshëm u masakruan në një gjenocid, i cili mund të ishte parandaluar. Irani i ka dhënë botës paralajmërime të mjaftueshme.

Një faqe interneti që ka lidhje me liderin suprem të Iranit, Ali Homnei, ka deklaruar në muajin shkurt se Irani justifikohet për “vrasjen e të gjithë hebrenjve të Izraelit-gjë kjo që Teherani mund ta arrijë me raketat me rreze të gjata veprimi vetëm për nëntë minuta”, mburrej kjo faqe interneti.

Homnei nga ana e tij, e ka quajtur Izraelin një “tumor kanceroz, që duhet hequr” dhe ka deklaruar se ekziston "justifikimi për të vrarë të gjithë hebrenjtë dhe të asgjësojë Izraelin, dhe për këtë Irani duhet të marrë timonin."

Gjithashtu, në muajin shkurt, presidenti iranian Mahmud Ahmedinexhad priti udhëheqësin e Hezbollahut, Hasan Nasrallah, në Teheran, derisa në posterët në qytet shkruhej se është detyrë e çdo myslimani që ta "fshijë nga faqja e dheut" Izraelin.

"Nëse të gjithë hebrenjtë u mblodhën në Izrael, do të na kursejnë nga vështirësitë për të shkuar pas tyre në mbarë botën", ka thënë Nasrallah. "Kjo është një luftë e hapur deri në eliminimin e Izraelit dhe deri në vdekjen e hebreut të fundit në tokë."

Kërcënimet e zyrtarëve iranianë shoqërohen nga mohimi i tyre i Holokaustit dhe karakterizimi i vazhdueshëm i hebrenjve si jonjerëzorë: “barbarët gjakpirës”, “baktere e ndyrë”, “bishë e egër”, “kancer”, “kriminelë të ndyrë” etj.

Shpifje të ngjashme qenë bërë edhe në Gjermaninë naziste dhe në Ruandë. Ato janë paralajmërim i gjenocidit.

Disa argumentojnë se Teherani nuk ka gjasa të ndërmarrë veprime, nga frika e hakmarrjes. Por, Irani pretendon se mund ta shfarosë shumicën e popullsisë së Izraelit për disa minuta, kështu që do të ketë pak mundësi për hakmarrje. Në çdo rast, edhe në qoftë se radikalët e Iranit mund të pengohen, nxitja e tyre për gjenocid është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Ata që nxisin gjenocid, dhe ata që i mbrojnë ata, shpesh thirren në lirinë e fjalës. Por, asnjë ligj për fjalën e lirë nuk e lejon kërcënimin për vrasje në masë.

Tirbunali i Nyrembergut ka dënuar dhe ekzekutuar botuesin e gazetës naziste Julius Streiçer për nxitjen e vrasjes së hebrenjve të Evropës, edhe pse ai nuk i kishte kryer vrasjet vetë.

Ashtu si Homnei dhe Ahmedinexhadi, Streiçer iu referohej hebrenjve si "një komb gjakpirës dhe mashtrues", për të shtuar se "problemi çifut nuk është zgjidhur ende. Ai do të zgjidhej, vetëm kur të asgjësohej bota hebraike”.

Tribunali Ndërkombëtar Penal për Ruandën së fundi ka dënuar gazetarët dhe politikanët për shkak të deklaratave publike, që bënin thirrje për zhdukjen e fiseve tutsi (edhe pse, si në rastin e Streiçerit, të pandehurit nuk kishin marrë pjesë vetë në akte gjenocidale).

Gjykata deklaroi se e drejta për lirinë e shprehjes është e kufizuar nga ana e Konventës së Gjenocidit. Që kur Konventa për Gjenocidin e hoqi imunitetin tradicional për krerët e shteteve, ish-kryeministri i Ruandës, Zhan Kambanda, u dënua me burgim të përjetshëm për fjalimet e tij nxitëse.

Precedentë të tillë duhet të çojnë palët shtetërore që të paraqesin ankesë kundër Iranit - që po ashtu është pjesë e Konventës së Gjenocidit - para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Shtetet anëtare, gjithashtu, duhet të kërkojnë që Këshilli i Sigurimit të miratojë një rezolutë që dënon nxitjen e gjenocidit nga ana e Iranit.

Ata, gjithashtu, duhet të kërkojnë që Këshilli t’ia referojë çështjen e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, i cili mund të padisë Homnein, Ahmedinexhadin dhe bashkëpunëtorët të tyre, sikurse presidentin sudanez Omar al-Bashirin.

Ky kërcënim për ndjekjen penale duhet t’i shtohet presioneve ekzistuese diplomatike dhe ekonomike të destinuara për të penguar terrorizmin dhe zhvillimin e armëve bërthamore nga Teherani.

Heshtja nuk është një opsion moral kur shtetet kërcënojnë me gjenocid - sidomos kur ato janë në prag të ndërtimit të armëve bërthamore dhe mburren se mund ta kryejnë një holokaust brenda minutave.(a.i.)
XS
SM
MD
LG