Ndërlidhjet

Klinton: Kina t’i mbrojë të drejtat e njeriut


Hillari Klinton në Kinë
Hillari Klinton në Kinë

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, i ka bërë thirrje Kinës, që t’i mbrojë të drejtat e njeriut, në fillim të bisedimeve vjetore ndërmjet dy vendeve në Pekin.

Tash natyrisht, si pjesë e dialogut tonë, Shtetet e Bashkuara e kanë ngritur rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe të lirive fundamentale. Meqë ne besojmë se të gjitha qeveritë duhet tu përgjigjen aspiratave të shtetasve për dinjitet dhe sundim të ligjit dhe se asnjë shtet nuk duhet dhe nuk mundet t’i mohojë këto të drejta. Siç tha presidenti Obama këtë javë, Kina, e cila i mbronë të drejtat e të gjithë shtetasve të vet, do të jetë vend më i fuqishëm dhe prosperues dhe, natyrisht, partner më i fortë për qëllimet tona të përbashkëta”, tha Hillari Klinton.

Zonja Klinton nuk e ka përmendur rastin e aktivistit të verbër, Çen Guangçen, i cili ka kërkuar mbrojtje në Ambasadën Amerikane në Pekin, pasi ai ishte larguar nga atje, sipas marrëveshjes për të mbetur në Kinë.

Për këtë marrëveshje ai më vonë ka shprehur keqardhje.

Zoti Çen tha se frikësohet për sigurinë e tij dhe ka kërkuar të dërgohet për në Shtetet e Bashkuara, pasi ai tha se sigurimet për të dhe familjen e tij u treguan të rrejshme.

Zonja Klinton, po ashtu, ka thënë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Kina do të ndihmoj në ndaljen e aktiviteteve atomike të Koresë Veriore dhe Iranit, dhe do të bëjë presion në qeverinë e Sirisë për ta ndalur dhunën.

Në fjalën e tij të hapjes në bisedimet në Pekin, presidenti i Kinës, Hu Jintao, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet ta respektojnë njëra-tjetrën, edhe nëse kanë mospajtime.

Të dy palët duhet të mësojnë ta respektojnë njëra-tjetrën, ta kuptojnë terrenin e përbashkët dhe kulaçin e interesit të përbashkët ta bëjnë më të madh; t’i trajtojnë dallimet në mënyrë përkatëse, të respektojnë dhe të kujdesen për shqetësimet e njëri-tjetrit, në mënyrë adekuate t’i zgjidhin mospajtimet ekzistuese nëpërmjet dialogut dhe komunikimit dhe ta forcojnë mirëkuptimin e dyanshëm, për të shmangur ndikimin në gjendjen e tërësishme të raporteve kinezo-amerikane”, tha presidenti Hu Jintao.

Ambasadori amerikan në Kinë, Geri Loki, i ka mbrojtur aksionet e vendit të tij në rastin Çen, duke thënë se ai “kurrë nuk ishte nën presion” që të largohej nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe se kishte vendosur ta bënte këtë, pas bisedës me bashkëshorten e tij.

Geri Loki u tha reporterëve se ambasada “në të gjitha pikat” ishte e gatshme për plotësimin e dëshirave të zotit Çen.

Sipas zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, marrëveshja parasheh që Çen Guangçen dhe familja e tij, të rivendosen diku në Kinë në siguri dhe se do t’i lejohej që t’i vazhdojë studimet e tij.

Por, autoritetet e Kinës e kanë përdorë një ton të ashpër, duke e kritikuar atë që ata e cilësojnë si përzierje të Shteteve të Bashkuara dhe thanë se presin që Uashingtoni të kërkojnë falje për atë se si diplomatët amerikanë e kanë menaxhuar këtë rast.

Rrjeti televiziv CNN ka raportuar se aktivisti Çen ka thënë se ndjehet “i lënë pasdore” nga Shtetet e Bashkuara.

Ky aktivist e kishte zemëruar qeverinë në Pekin me fushatën e tij për t’i zbuluar abortet me forcë nën politikën kineze për një fëmijë.(f. b.)
XS
SM
MD
LG