Ndërlidhjet

Roli i organizatave joqeveritare në shoqërinë kosovare është i rëndësishëm, pasi këto organizatat tërheqin vëmendjen e publikut dhe të autoriteteve kompetente për një trajtim më të vëmendshëm të problemeve të përditshme të qytetarëve.

Kështu thonë përfaqësues të disa organizatave joqeveritare në vend, për të shtuar se ka raste, kur organizatat punojnë për interesa të caktuara të partive politike dhe donatorëve të tyre.

Ardian Arifaj, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, tha se funksioni i sektorit të OJQ-ve është i madh, pasi sipas tij, organizatat janë ato që sjellin iniciativa, alternativa për atë se çfarë duhet të ndodh në shoqërinë e përgjithshme.

Pra, një debat, një ide, që e nis shoqëria civile, shumë shpejtë pranohet dhe përqafohet edhe nga protagonistët r tjerë dhe vazhdon të promovohet edhe nga të tjetër. Kjo tregon se roli i shoqërisë civile është i suksesshëm në Kosovë”, thekson Arifaj.

Por, ndryshe mendon Avni Zogiani, udhëheqës i Organizatës për Demokraci, Anti Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu” .

Sipas tij, për shkak të sistemit politik që vepron në Kosovë, rëndësia e organizatave joqeveritare është në nivel të ulët, ndërkaq ndryshimet që mund të arrijnë nga to janë të vogla dhe të kufizuara.

Zogiani, thekson se politika në vend ka shkaktuar një deformim të ambientit që OJQ- të funksionojnë në mënyrë të pavarur.

Ekziston një lloj i konflikt i vazhdueshëm i interesit, që do të duhej të bënte një organizatë joqeveritare, dhe asaj që kërkojnë donatorët që janë shumë të afërt më qeverinë perëndimore, të cilat praktikisht marrin pjesë gati në secilin sektor në menaxhimin dhe qeverisjen e Kosovës”, shprehet Zogiani.

Ndërkaq, Fidan Kalaja, nga Lëvizja “Fol”, konsideron se shoqëria civile në mënyrë të suksesshme po arrin që të monitorojë punën e institucioneve qeveritare.

Sipas tij, falë angazhimit të shoqërisë civile, po del në sipërfaqe korrupsioni dhe keqpërdorimet që po bëhen me paranë publike.

Nëse marrim dhe bëjmë një krahasim në mes të vitit 2012 dhe 2008, atëherë shohim se qytetarët e Kosovës, sot janë në gjendje të flasin me shifra për nivelin e korrupsionit në institucionet publike në Kosovë”.

Do të thotë, pranimi i këtij realiteti ka qenë direkt rezultat i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë”, shprehet Kalaja.

Mirëpo, nuk janë të pakta as kritikat në adresë të OJQ-ve, sipas të cilave ato shërbejnë vetëm për përftime të grupeve të vogla dhe nuk mund të flitet për ndonjë ndikim të theksuar të tyre.

Sidoqoftë, në Kosovë janë të regjistruara rreth 6,400 organizata joqeveritare, por vetëm 300 prej tyre janë aktive në gjithë territorin e vendit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG