Ndërlidhjet

“Times” dhe “Finantial Times”


Bojkoti i paralajmëruar i Euros 2012 në Ukrainë, nga disa shtete evropiane, siç është Austria e Gjermania, për shkak të trajtimit që po i bëhet ish kryeministres së burgosur Julia Timoshenko, ka bërë që shtypi ndërkombëtar të shtrojë pyetjen nëse duhet ose jo të përzihet sporti me politikën.

Britanikja Times, shkruan se në vend se ta shohë turneun si një rast të rrallë për të shtyrë përpara integrimin në BE, Ukraina duhet të përballet me protestat e shumta nga liderët evropianë në lidhje me Timoshenkon.

Edhe BE, edhe SHBA, shkruan Times, e kanë dënuar burgosjen, si një fushatë të motivuar politijkisht.

Zonja Timoshenko ka qenë në grevë urie për pothuaj dy javë që kur u ankua se ishte rrahur nga rojet e burgut derisa mundoheshin ta dërgonin me dhunë në spital.

Qeveria austriake një ditë më parë njoftoi se do të bojkotojë ndeshjet e Euros 2012 në Ukrainë, në shenjë proteste ndaj trajtimit të Timoshenkos. Ngjashëm ka lënë të kuptohet se do të bëjë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Disa do të shikojnë me keqardhje përplasjen e politikës me futbollin, por një ngjarje e tillë sportive është pashmansghëm edhe politike”, shkruan Times.

Protestat dhe bojkotet e ngjarjeve sportive kanë një histori të përzier të suksesit dhe shihen si shumë jokorrekte ndaj atletëve dhe tifozëve.

“Por, shtetet si Ukraina, që dëshirojnë ta përdorin sportin ndërkombëtar si një reklamë për vendin, duhet të përgatiten për pasojat, po që se botës nuk i pëlqen ajo që po e sheh”, shkruan në numrin e sotëm Times.

Nën titullin, “Euro 2012, nuk mund të jetë futboll politik”, britanikja tjetër, Financial Times, mbështet të drejtën e komunitetit ndërkombëtar që të mbajë një qëndrim kritik kundër trajtimit të zonjës Timoshenko.

Por, gazeta thekson se thirrjet për një bojkot ndërkombëtar të garës, ose heqjen e të drejtës së Ukrainës që të organizojë turneun, janë të gabueshme për disa arsye.

Gazeta argumenton, se bojkotet ndërkombëtare rrallë herë funksionojnë, ai i Olimpiadës së Moskës në vitin 1980, pas invazionit sobjetik në Afganistan ka dhënë efekt të vogël. Ndalesa botërore sportive ndaj Afrikës Jugore, për shkak të aparteidit, mund të ketë ndryshuar qasjen, por, kjo ëshët arritur pas përpjekjeve të gjata të vazhdueshme ndërkombëtare, shkruan FT.

Gazeta shkruan se më shumë mund të fitohet eventualisht, po që se lihet zhvillimi i kampionatit.

“Miliona do të akordohen, duke i dhënë mundësinë forcave opozitare që zëri i tyre të dëgjohet shumë larg, përtej kufijve të Ukrainës”.

Heqja e së drejtës për të mbajtur kampionatin, nuk duket se do të ketë efekt të gjatë te Janukoviqi, shkruan FT, duke shtuar se regjimi i tij ishte indiferent ndaj pezullimit të një marrëveshjeje shumë më të rëndësishëm të tregtisë së lirë me BE-në.

“Ai vazhdon të mos përndjekë vetëm zonjën Timoshenko, por dhjetëra aleatë të saj të lartë me akuza të diskutueshme, të nxitur nga një gjyqësor mezi i pavarur. Transferimi i lojërave në këtë fazë të vonë, do të krijojë një precedent shqetësues. Nëse Ukraina konsiderohet politikisht e papranueshme, çfarë do të thotë kjo për turnetë e ardhshme në Rusi dhe në Katar?”, shkruan FT.

Kjo, sipas FT-së, nuk do të thotë se turneu duhet të mos përmbajë protesta. Politikanët e Evropës do t’i dërgojnë zotit Janukoviq një sinjal të fuqishëm duke mos marrrë pjesë në ndeshjet në Ukrainë.

Një bojkot politik gjithashtu do ta privojë zotit Janukoviq, nga përdorimi i turneut si dëshmi se ka mbështetjen ndërkombëtare në zgjedhjet vendimtare parlamentare këtë vit.

Por, FT përfundon se “Euro 2012 është rreth sportit dhe jo politikës. Kampionati nuk duhet të jetë futboll politik i askujt.”(a.i.)
XS
SM
MD
LG