Ndërlidhjet

BB aprovon 23 milionë euro për Kosovën


Logo e Bankës Botërore
Logo e Bankës Botërore
Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka aprovuar 23 milionë euro grante për Operacionin e dytë të Programit për Politikën për Zhvillim të Punësimit të Qëndrueshëm (SEDPO-2) për Kosovën.

Sipas një komunikate për media të Bankës Botërorë, ky projekt përbën një segment të rëndësishëm në strategjinë e propozuar për partneritet me vendin për Kosovën për vitet 2012-15, të grupit të Bankës Botërore, e cila fokusohet në rritjen gjithëpërfshirëse dhe gjenerimin e punësimit.

“Fondet do të vihen në dispozicion pasi qeveria ka zbatuar reformat e dakorduara të politikave, të fokusuara në përmirësimin e transparencës, menaxhimin buxhetor dhe fiskal, si dhe punësim të qëndrueshëm”, thuhet në komunikatë të BB-së.

Ky operacion, thuhet në komunikatë, mbështet reforma të rëndësishme të politikave për 1.8 milionë banorë të vendit, që synojnë përmirësime në mjedisin e biznesit për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja; fuqizimin e prokurimit dhe menaxhimit të financave publike për të rritur transparencën dhe llogaridhënien.

Po ashtu ky operacion, sipas BB-së, parasheh edhe fuqizimin e institucioneve të tregut të punës, për të ofruar shërbime të targetuara për personat e papunë dhe marrësit e asistencës sociale si dhe rritjen e cilësisë dhe rëndësinë e institucioneve të arsimit profesional dhe konsolidimin e shërbimit civil të Kosovës.

Ndryshe, operacioni i parë i Programit për Politikën për Zhvillim të Punësimit të Qëndrueshëm (SEDPO-1) për Kosovën ishte në shumën 30.9 milionë dollarë amerikanë dhe është disbursuar më 30 dhjetor 2011.

Fondet janë derdhur në Buxhetin e Kosovës, pas zbatimit të suksesshëm të reformave të fokusuara në punësim të qëndrueshëm dhe rritje ekonomike.
XS
SM
MD
LG