Ndërlidhjet

Halimi: Arrestimet, terror shtetëror ndaj shqiptarëve


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Deputeti shqipar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, tha sot se arrestimi i pesë shqiptarëve të dyshuar për krime lufte në vitin 2001 është “vazhdim i terrorit shtetëror” kundër komunitetit shqiptar.

Halimi tha se terrori "filloi në mënyrë agresive në dhjetor të 2008-ës, për të vazhduar në korrik të 2009-ës dhe se kjo është arsyeja pse qindra familje shqiptare kanë emigruar nga Lugina e Preshevës.

Sipas tij, nuk është rastësi që ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq ka nisur arrestimet dy ditë para zgjedhjeve, më 6 maj dhe se veprimet e tilla mund të kenë pasoja për tërë rajonin.

"Qëllimi është për të fituar pikë të lira politike, dukeluajtur me fatin e këtij vendi dhe të gjithë rajonit”, tha Halimi për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.

Ai shtoi se ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës
dhe Bujanocit nuk janë më të sigurt në Serbi, edhe pse me përfundimin e konfliktit të 2001-ës, atyre iu garantua amnistia.

Halimi ka thënë se në mesin e të arrestuarve është edhe një kandidat për këshillin lokal, i cili është lënduar gjatë aksionit të policisë.

"Ky është një vazhdim i procesit politik, që ka për qëllim presionin ndaj shqiptarëve të rajonit. Rezultati ishte spastrimi etnik i shqiptarëve, ku vetëm në komunën e Medvegjës nga 5 mijë e 500 shqiptarë kanë mbetur vetëm 600”, ka thënë Halimi.

Ai tha se shqiptarët janë të shqetësuar rreth kërcënimeve të Daçiqit se arrestimet do të vazhdojnë.
XS
SM
MD
LG