Ndërlidhjet

Dell: Zgjedhjet lokale serbe, pa asnjë efekt ligjor


Kristofer Dell
Kristofer Dell
Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell ka thënë se zgjedhjet lokale në veri janë tërësisht pa ndonjë ndikim, ndërsa ato parlamentare dhe presidenciale paraqesin një shembull të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje.

“Është herët të thuhet (nëse zgjedhjet do të përmirësojnë raportet), por ky është një shembull i mirë, se si dy shtete fqinje mund të punojnë së bashku, që të sigurojnë se po respektohen standardet evropiane”, ka thënë ambasadori amerikan gjatë një konferencë për gazetarë në Graçanicë, me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të granteve për organizatat e shoqërisë civile.

Ai ka përshëndetur rolin lehtësues të OSBE-së për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në territorin e Kosovës.

Dell ka thënë është me rëndësi që roli lehtësues i OSBE-së, është pajtuar në një formë, që të mos shkilet sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, duke theksuar qëndrimin e OSBE-së se do të ndalojë së ndihmuari zgjedhjet, po që se aty tentohet të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale të Serbisë.

"Gatishmëria e qeverisë së Kosovës për t’ia lejuar OSBE-së që të lehtësojë votimet në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, nënvizon synimin për raporte të mira fqinjësore dhe përkushtimin e saj për standardet evropiane", tha ambasadori amerikan.

Duke folur për paralajmërimin e disa serbëve lokalë të pjesës veriore të Kosovës se më 6 maj, karshi zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, të mbahen edhe zgjedhjet lokale, Dell foli për mungesën e ndikimit të kësaj nisme...

“Ato janë po aq të rëndësishme sa referendumi që ata e patën mbajtur në shkurt, e të cilin e patën injoruar të gjithë. UNMIK-u, Beogradi dhe e tërë Bashkësia Ndërkombëtare kanë deklaruar se nuk i njohin si legjitime këto zgjedhje".

"Me sa di shefi i UNMIK-ut pati thënë se nuk do të merret me liderët që do të dilnin nga këto zgjedhje. Nuk mërzitem për to dhe mendoj se askush s’do të duhej”,
tha Dell, për të shtuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës nuk do të prodhonte asnjë efekt ligjor.

Ai ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës që e diela të kalojë qetësisht si një ditë që, siç tha ai, forcon tolerancën e ndërsjellë dhe parimet demokratike.

Siguria më 6 maj

Ndërkohë, mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë, thonë se kanë përgatitur planet e tyre operative për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë më 6 maj.

Përfaqësues të këtyre mekanizmave, megjithatë, nuk deshën të japin detaje rreth masave që parashihet të ndërmerren sipas planeve në fjalë në ditën kur edhe në territorin e vendit do të mbahen zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë dhe kur, pavarësisht kundërshtimit zyrtar, serbët lokalë të veriut kanë paralajmëruar mbajtjen edhe të zgjedhjeve lokale.

Pa dashur të flas për shtimin eventual të pjesëtarëve dhe parullave policore, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, sqaroi qëllimet kryesore që policia do t’i ketë këtë të diel.

Policia e Kosovës sa u përket zgjedhjeve lokale serbe të paralajmëruara se do të mbahen në Kosovë e ka planin e hartuar me kohë për parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve të tilla. Ndërsa, sa u përket zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, në bazë të marrëveshjes së arritur, Policia e Kosovës do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor”, u shpeh Kelani.

Zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë pritet të mbahen në 28 lokacione dhe 90 vendvotime në tërë territorin e Kosovës.

Lehtësimin e këtyre zgjedhjeve do ta bëjë misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, ndërsa përgjegjës për siguri - karshi Policisë së Kosovës, do të jenë misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, dhe misioni ushtarak i NATO-s.

Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, tha se misioni evropian do të veprojë në përputhje me mandatin që ka.

Në përputhje me mandatin që ka, EULEX-i do ta mbështes këtë proces dhe misioni bashkëpunon ngushtë me policinë dhe KFOR-in, për t’ia mundësuar OSBE-së të zbatojë detyrat e veta. Ajo që është më rëndësi të theksohet është se të gjithë mund të kontribuojnë për ta mbajtur një situatë të qetë”, njoftoi ajo.

NATO-ja kishte nisur, ditë më parë, dërgimin e trupave shtesë në Kosovë me planin që, para 6 majit, në vend të arrijnë diku 700 trupa.

Mirëpo, as në KFOR nuk deshën të flasin për shtimin eventual të trupave në terren gjatë mbajtjes së procesit zgjedhor.

Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, tha se KFOR-i nuk ka të bëjë asgjë me zgjedhjet serbe dhe se trupat e tij e kanë rolin tretësor për sigurinë në vend.


Përgjegjës në radhë të parë janë Policia e Kosovës dhe EULEX-i “, tha Novicki.

Radio Evropa e Lirë
Por KFOR-i gjithashtu ka një rol...

Po, si përgjegjës i tretë në garantimin e një ambienti të qetë e të sigurt, por ne s’kemi të bëjmë asgjë me zgjedhjet”, tha ai.

Krerët e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë kishin theksuar, një ditë më parë, se “të gjitha veprimet e tyre janë të bashkërenduara dhe se po punojnë në partneritet të ngushtë me njëri-tjetrin”.
XS
SM
MD
LG