Ndërlidhjet

Shkup: Dilema për operacionin “Monstrum”



Paralelisht me hetimet për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovë, vazhdojnë edhe reagimet lidhur me aksionin policor dhe kualifikimet ndaj të arrestuarve që dyshohen për lidhshmëri dhe vrasjen e këtyre personave më 12 prill.

Në shenjë revolte ndaj arrestimeve të fundit, të premten, para gjykatës së Shkupit protestuan rreth 2 mijë shqiptarë duke kërkuar lirimin e të arrestuarve, ndërsa gjithë aksionin policor e quajtën të montuar.

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se janë duke vazhduar hetimet lidhur me vend-ndodhjen e dy prej pesë personave të akuzuar, ndaj të cilëve një ditë më parë u shpall fletë-arrest ndërkombëtar nën akuzën e veprës penale, terrorizëm.

Tre të tjerëve tashmë iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa katër të tjerë do të gjykohen për armëmbajtje pa leje.

Ekspertët për çështje juridike reaguan lidhur me kualifikimet që po jepen për këtë rast ende pa nisur procesi gjyqësor dhe pa prezantimin e dëshmive që mund të ndërlidhen me veprën, për të cilën ngarkohen të arrestuarit.

Osman Kadriu tha se është antiligjore që një zyrtar i lartë shtetëror, si ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovksa, të thotë para opinionit se janë arrestuar vrasësit e vërtetë, ndërsa prokurori publik republikan të japë dënimin maksimal siç ndodhi ditë më parë në prononcimin e tij publik ende pa u publikuar emrat e të arrestuarve.
Në të gjitha procedurat, derisa nuk kemi vendim të plotfuqishëm nga gjykata kompetente, nuk duhet të shpejtojmë me kualifikime ...

“Në të gjitha procedurat, derisa nuk kemi vendim të plotfuqishëm nga gjykata kompetente, nuk duhet të shpejtojmë me kualifikime dhe duhet gjithmonë të fillojmë nga parimi, të cilin e përcakton edhe Kushtetuta, prezumpcioni i pafajësisë, deri atëherë duhet të përmbahen organet shtetërore për kualifikime konkrete për veprën”, tha Kadriu.

Ndërkohë, në mesin e ekspertëve ka dilema dhe dyshime mbi gjithë operacionin e policisë, në kuptimin nëse janë arrestuar autorët e vërtetë të veprës, apo nëse ata kanë lidhshmëri me islamin radikal, siç pretendon Ministria e Punëve të Brendshme.

“Me të vërtetë ka dyshime të shumta dhe nëse konfirmohet se diçka nga kjo nuk është e saktë apo se është proces i montuar, e kështu me radhë. Mendoj se kjo do të jetë e tmerrshme për stabilitetin e shtetit”.

“Thjesht, mendoj se as koalicioni qeveritar nuk do të mund t'i mbijetojë kësaj situate”,
u shpreh Mirjana Malevska, eksperte e marrëdhënieve ndëretnike dhe ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Malevska tha se hapat e pakujdesshëm që kanë bërë institucionet lidhur me hetimet për vrasjen e pesëfishtë, kanë rrënuar gjithë atë besim ndërmjet bashkësive etnike që është ndërtuar me aq mund të madh që nga viti 2001 e këndej.
...kjo të bën të mendosh se vrasja e pesë personave dhe aksioni policor, sikur kanë pasur këtë qëllim - të ndjelljes së frikës dhe pasigurisë në vend.

“Pra, ne jemi kthyer pas nga ajo që kemi arritur për ndërtimin e besimit të ndërsjellë. Do të duhet të nisim nga fillimi që është një proces shumë i vështirë pasi njerëzit po humbin besimin ndaj institucioneve”.

“Ata as që duan të flasin pasi kanë frikë dhe kjo të bën të mendosh se vrasja e pesë personave dhe aksioni policor, sikur kanë pasur këtë qëllim - të ndjelljes së frikës dhe pasigurisë në vend. Nuk di si mund të mbahet nën kontroll situata, ndoshta me prezantimin e dëshmive nga një gjyqësi e pavarur - nëse është vërtet e pavarur- për ta zbardhur deri në fund situatën e dyshimeve të mëdha”
, theksoi Malevska.

Nga ana tjetër, me interes është përcjellë nga mediat në Maqedoni edhe reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili kërkoi respektimin e procesit ligjor në rastin e vrasjes së pesëfishtë.

Zëdhënësi Mark Toner bëri thirrje që të dyshuarve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare, t'u mundësohet proces i drejtë ligjor.

Ai, gjithashtu, tha se Ambasada Amerikane në Maqedoni me vëmendje po ndjek edhe pohimet që ndërlidhin këtë rast me grupet radikale islamike dhe pretendimet se në mesin e të dyshuarve ka edhe të atillë, që, siç thuhet, kanë luftuar kundër NATO-s në Afganistan dhe Pakistan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG