Ndërlidhjet

Kuvendi ia dorëzon Kodin Penal presidentes Jahjaga


Presidentja Jahjaga gjatë takimit me gazetarët, foto nga arkivi

Presidentja Jahjaga gjatë takimit me gazetarët, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës ia ka dorëzuar sot në orët e pasdites presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, Kodin e ri Penal, amandamentet e të cilit kanë miratuar më 20 prill 2012.

Dita e sotme në fakt ishte dita e fundit e paraparë me afatin ligjor që Kuvendi t’ia dorëzojë presidencës Kodin, dy nenet e të cilit, 37 dhe 38, janë kritikuar ashpër nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare që merren me mediat, të cilësuara si përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese.

Nenet në fjalë kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.

Zyra e presidentes tani ka një afat prej tetë ditësh të shqyrtojë amandamentet e miratuara dhe siç kanë thënë më herët zyrtarë të kabinetit të zonjës Jahjaga, posaçërisht do të shqyrtohen dy nenet e debatueshme, në bashkëpunim me të gjitha palët.

Reporterët Pa Kufij i kanë bërë më herët thirrje presidentes "të refuzojë nënshkrimin e këtij kodi penal dhe ta kthejë në Kuvend për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare".
XS
SM
MD
LG