Ndërlidhjet

logo-print

KDI me kritika ndaj Kuvendit


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin dymujor nga monitorimi i punës së Kuvendit të Kosovës për muajt mars - prill 2012.

Përfaqësues të KDI-së, në një konferencë për media, kanë prezantuar një varg të gjeturash për këtë periudhë, e që, sipas tyre, ndikojnë në punën e legjislativit të vendit.

"Deputetët e Kuvendit të Kosovës, jo rrallëherë deri më tani, kanë dëshmuar se votojnë projektligje, amendamente apo akte të tjera jashtë vullnetit të tyre, duke u diktuar ose nga lidershipi i partisë së tyre ose nga adresa tjera politike", ka thënë Driton Selmanaj nga KDI.

Duke u thirrur në rezolutën që ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës, me iniciativën e grupit të PDK-së, në të cilën kërkohej nga Qeveria e Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e kurrfarë lloj zgjedhjesh serbe në Kosovë, Selmanaj ka thënë se ajo është shkelur nga ekzekutivi, duke i toleruar këto zgjedhje "sipas një marrëveshjeje me OSBE-në".

Në anën tjetër, Halil Matoshi, analist në KDI, ka thënë se Kodi Penal i Kosovës, i miratuar së fundmi në Kuvend - përkatësisht dispozitat që rregullojnë veprat penale, të cilat kryhen nga mediat - "janë kopjuar fjalë për fjalë nga Kodi Penal i Republikës së Serbisë, nga ekspertët ligjorë të Ministrisë së Drejtësisë".
XS
SM
MD
LG