Ndërlidhjet

Rekord në 4 dekada - Japonia pa energji atomike

  • RFE /RL

Dhomë kontrolli në reaktorin Fukushima Daiçi.

Dhomë kontrolli në reaktorin Fukushima Daiçi.

Japonia të shtunën është pa energji bërthamore. Zyrtarët kanë shkyçur nga puna reaktorin e fundit që ishte në funksion, për kontrolle rutinë të mirëmbajtjes.

Kjo është hera e parë në katër dekada që vendi nuk përdor reaktorët bërthamorë për të gjeneruar energji elektrike.

Mijëra protestues anti-bërthamorë kanë marshuar në Tokio, duke i bërë thirrje qeverisë që të heqë përgjithmonë nga përdorimi energjinë atomike.

Disa nga ta janë mbledhur përpara Ministrisë së Industrisë, e cila mbikëqyr shërbimet energjetike të vendit, ndërsa rreth 5,500 të tjerë kanë zënë vend pranë Kullës në Tokio, me pankartat “Lamtumirë”.

“Ne duam të ndalojnë të gjithë reaktorët bërthamorë dhe të mos rikthehen më në punë”, ka thënë për agjencinë Reuters njëri nga protestuesit.

“Një mik i imi në Ivaki ka vdekur nga arresti kardiak. Njerëzit përreth meje po vdesin. Ata po vdesin, sepse po qëndrojnë në vendet ku rrezatimi është i lartë”, është shprehur një tjetër protestues.

Mbyllja e reaktorit të fundit operativ ka ndodhur me kërkesë të Qeverisë japoneze. Pas katastrofës së vitit të kaluar në centralin Fukushima Daiçi, ajo ka urdhëruar që të gjithë reaktorët të kalojnë teste të reja për t’iu bërë ballë tërmeteve dhe cunameve. Për të rinisur funksionimin, ata kanë nevojë për miratimin e banorëve lokalë.

Pas fatkeqësisë në Fukushima, dyshimi publik për energjinë bërthamore është rritur në masë të madhe, saqë asnjëri nga reaktorët e shkyçur nuk ka marrë ende miratimin për të rifilluar punën.

Tërmeti dhe cunami i 11 marsit të vitit të kaluar në Fukushima kanë bërë që mijëra njerëz të braktisin shtëpitë në zonën përreth centralit - disa prej të cilëve mund të mos lejohen kurrë që të kthehen.

Japonia përdor energjinë bërthamore për të gjeneruar një të tretën e energjisë së saj elektrike.

Kritikët thonë se Japonia nuk duhet të shohë më prapa, por, sipas qeverisë, energjia bërthamore është thelbësore për të siguruar se vendi ka llojshmëri të burimeve të energjisë, përtej gazit dhe naftës së importuar.(v.t.)
XS
SM
MD
LG