Ndërlidhjet

Votimet në Kosovë - pa probleme


Zgjedhjet serbe në Kosovë

Zgjedhjet serbe në Kosovë


Votimi për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë po zhvillohet pa probleme.

Të 90 vendvotimet në 28 lokacione janë hapur në orën 8:15 të mëngjesit.

Zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë, Nikolla Goan i ka thënë Radios Evropa e Lirë se numri i votuesve, në varësi të lokacionit, është më i madh ose më i vogël, por ata po votojnë.

Ai ka thënë se tashmë i kanë vizituar disa lokacione dhe se votimet po zhvillohen normalisht.

Kemi qenë për të vizituar në Graçanicë dhe Llapje Sellë . Gjithçka po zhvillohet si më mirë. Njerëzit po votojnë”, ka thënë Goan.

Votimi, mësohet se po rrjedh normalisht edhe në veri të Kosovës, përkatësisht në 13 lokacione atje.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë theksuar se pjesëtarët e kësaj policie janë të pranishëm në çdo lokacion dhe deri më tash nuk është shënuar asnjë incident.

Në anën tjetër, Kërstimir Pantiq, kryetari paralel i Mitrovicës ka thënë se pret që zgjedhjet serbe të sotme, të kalojnë pa probleme sa i përket situatës së sigurisë, por megjithatë, ai ka theksuar se tashmë janë vërejtur disa probleme me listat zgjedhore, dhe ka kritikuar OSBE-në për, siç ka thënë, organizim jo të mirë të zgjedhjeve.

Është fakt se një numër i madh i qytetarëve nuk janë përfshirë në listat e votuesve dhe se ka mjaft probleme. Përfaqësuesit e OSBE-së vështirë gjinden në vendvotime dhe kjo me siguri do të qojë deri te ajo që dalja në votime do të jetë shumë më e vogël se sa që është interesimi i qytetarëve për këto zgjedhje, dhe kjo në njëfarë mënyre e vë në pikëpyetje legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Pantiq.

Ndryshe, pavarësisht kundërshtimeve të institucioneve të Prishtinës, atyre ndërkombëtare dhe vërejtjeve të Beogradit, në Zveçan dhe Zubin Potok, janë duke u mbajtur edhe zgjedhjet lokale serbe.

Por ato mbahen në ambiente larg atyre ku mbahen zgjedhjet e organizuara nga OSBE-ja.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e lirë kryetari paralel i Zveçanit, Dragisha Milloviq.

Probleme nuk ka pasur deri më tash dhe po shpresojmë që kështu do të vazhdojë deri në fund të ditës. Pa probleme kanë nisur edhe votimet për zgjedhjet lokale. Do të thotë, në këto votime nuk ka vëzhgues të OSBE-së”, ka thënë Milloviq.

Ndërkaq, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb e ka quajtur fitore të serbëve mbajtjen e zgjedhjeve lokale në dy komunat në veri të Kosovës.

Kjo është fitore e jona, sepse zgjedhjet këtu po mbahen në kuadër të sistemit kushtetues të Serbisë dhe sipas ligjeve zgjedhore të Serbisë, dhe mendoj se Beogradi do t’i pranojë rezultatet e këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Ivanoviq.

Ndryshe, Policia e Kosovës pati paralajmëruar se ka plan të detajuar për parandalimin e zgjedhjeve lokale të Serbisë, të cilat ishin paralajmëruar të mbahen në Zubin Potok dhe Zveçan.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se policia i ka dy opsione lidhur me faktin se si do t’i qaset çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve lokale në dy komunat në veri të Kosovës.

Sa u përket zgjedhjeve lokale, mund të them se ato edhe ashtu njihen si jolegjitime për procesin legjitim. Ne kemi dy mundësi, në këtë rast për të reaguar dhe t’i ndalojmë ato si të tilla, në rast të cenimit të sigurisë, apo thjeshtë t’i injorojmë si ngjarje, të cilat konsiderohen si ngjarje pa ndodhi. Thjeshtë, të injorohen”, ka theksuar Hoti.

Hoti ka shtuar se është e rëndësishme që në vendvotimet t e ligjshme, ku është OSBE-ja – nëse aty ka përpjekje për të mbajtur zgjedhjet lokale, atëherë ato vendvotime do të mbyllen dhe procesi do të shpallet i mbyllur.

Ndërkaq, qytetarët serbë në veri të Mitrovicës, të cilët po marrin pjesë në votimet për zgjedhjet serbe presidenciale dhe parlamentare, kanë shfaqur ankesa të ndryshme, qoftë për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve qoftë për situatën e përgjithshme në hapësirat ku jetojnë ata.

Milan Bulatoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës është ankuar se emri i tij nuk gjendej në listën e qytetarëve që do të votojnë

Ndodhi kjo që në vendin ku kam votuar në 30 vjetët e fundit, emri im nuk është në regjistër, e as i fëmijëve të mi, por vetëm i emri i gruas. Kjo është vjedhje dhe ky pushtet po punon bashkë me OSBE-në që të na shkatërrojë”, tha Bullatoviq.

Lubisha Petroviq, qytetar po ashtu nga veriu i Mitrovicës, thotë se zgjedhjet e sotme do ta definojnë të ardhmen për të dhe familjen e tij.

Presim që të bëhet më mirë ose krejtësisht më keq. Kështu më nuk mund të jetohet. Gjithçka është shndërruar në kaos. Ne kemi shpresuar se zgjedhjet e sotme do të jenë më të mira dhe se gjendja të përmirësohet. Nëse kjo nuk ndodhë atëherë do të shpërngulemi”, tha Petroviq.

Ndryshe, për mbikëqyrjen e zgjedhjeve serbe presidenciale dhe parlamentare në Kosovë janë të angazhuar rreth 500 shërbyes të OSBE-së, të cilët do të përcjellin votimet e rreth 109,000 qytetarëve serbë me të drejtë vote.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG