Ndërlidhjet

Francë: Holland shpall fitoren


Fransua Holland
Fransua Holland
Socialisti Fransua Holland ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale të Francës, pas një fushate të ashpër kundër Nikolas Sarkozisë.

Franca më 6 maj ka zgjedhur ndryshimin, duke më bërë mua president të Republikës”, ka thënë Holland, për të premtuar se “do të jetë president i të gjithëve”.

Marr përgjegjësinë për nderin që më është bërë dhe detyrën që më pret. Para jush, unë angazhohem për t’i shërbyer vendit tim me përkushtim dhe me natyrën shembullore që kërkon kjo punë”, ka thënë Holland para mijëra mbështetësve.


Bazuar në exit-pollet e balotazhit të së dielës, Holland ka fituar 52 për qind të votave, ndërsa në favor të Sarkozisë kanë shkuar 48 për qind e tyre.

Holland do të jetë kryetari i parë majtist i shtetit, pas Fransua Miterandit, i cili ka shërbyer në postin e presidenti nga viti 1981 deri më 1995.

Sarkozi ka pranuar fitoren e rivalit vetëm 20 minuta pas shpalljes së rezultateve preliminare, duke u thënë mbështetësve në Paris se i ka telefonuar Hollandit për ta uruar.

Sapo i kam telefonuar. Dua t’i uroj fat në mesin e këtyre sfidave. Do të jetë e vështirë. Por, uroj me gjithë zemër që nën drejtimin e tij, Franca, vendi ynë që na bashkon, t’i kalojë të gjitha këto vështirësi”, ka thënë Sarkozi.

Ai po ashtu ka thënë se “pranon përgjegjësinë për humbjen”. Presidenti i deritashëm ka deklaruar se do të ketë rol “ndryshe” në politikën franceze, por nuk ka konfirmuar raportet se do të tërhiqet nga politika.

Fitorja e Hollandit mund të ndryshojë mënyrat që përdor Bashkimi Evropian për të tejkaluar krizën e borxheve. Ai do më shumë stimuj qeveritarë dhe më shumë shpenzime qeveritare.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, i ka uruar Hollandit fitoren, duke thënë se ndan me të synimet e reja për kapërcimin e krizës evropiane.

Në Berlin, ministri i Jashtëm, Guido Vestervelle, ka përshëndetur fitoren e Hollandit duke e quajtur “ngjarje historike”.

Franca është ekonomia e dytë më e madhe në Evropë dhe është partner jetik për Gjermaninë.

Lideri socialist ka thënë se do të vizitojë kancelaren gjermane, Angela Merkel, brenda ditësh për të diskutuar planet.

Zgjedhja e Hollandit mund të ketë ndikim edhe në kohën e qëndrimit të trupave franceze në Afganistan.

Zgjedhjet parlamentare në Francë janë caktuar për muajin qershor.(v.t.)

Holland shpall fitoren - pëkrahësit festojnë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00
XS
SM
MD
LG