Ndërlidhjet

Hoxhaj kërkon trysninë e BE-së për lirimin e Kastratit


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj - foto arkiv
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj - foto arkiv
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, u është drejtuar me një letër të gjithë ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, pas arrestimit në Serbi të shtetasit të Kosovës, Haxhi Kastrati.

“Ky arrestim ka motive krejtësisht politike dhe synon të shkaktojë pasiguri te qytetarët e Kosovës, të cilët kalojnë transit nëpër këtë shtet fqinj. Ky arrestim arbitrar hyn në vazhdën e arrestimeve të mëhershme që autoritetet e shtetit serb kanë bërë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës vetëm pak muaj pas arritjes së marrëveshjes për lëvizjen e lirë midis Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, në kuadër të dialogut teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në letrën që transmeton MPJ kosovare.

Përmes saj, Hoxhaj i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe BE-së që të bëjnë trysni tek autoritetet serbe që të lirojnë menjëherë Haxhi Kastratin dhe të mundësojnë lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.

Haxhi Kastrati, 34-vjeçar, nga fshatit Zatriq i Komunës së Rahovecit, është ndaluar të enjten rreth orës 4:00 të mëngjesit, sapo ka hyrë në territorin serb, derisa po udhëtonte nga Austria për në Kosovë së bashku me familjen.
XS
SM
MD
LG