Ndërlidhjet

Tadiq prin në presidenciale, Nikolliq në parlamentare


Zgjedhjet në Serbi
Zgjedhjet në Serbi

Presidenti i deritashëm i Serbisë Boris Tadiq dhe sfiduesi i tij, Tomisllav Nikolliq, shkojnë në balotazh në zgjedhjet presidenciale.

Sipas rezultateve përfundimtare të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci në Serbi (CESID), në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në këtë vend, më shumë vota kanë fituar Boris Tadiq nga Partia Demokratike 26.8 për qind dhe Tomisllav Nikolliq i Partisë Përparimtare Serbe 25.6 për qind.

Ndërsa, nga rezultatet e pjesshme të Komisionit Qendror Zgjedhor gara mes dy kandidatëve del të ketë qenë edhe më e ngushtë, ku Tadiq ka marrë 24.8, ndërsa Nikolliq, 24.7 për qind.

Me gjithë çështjen e nxehtë të Kosovës, duket se zemërimi mbi ekonominë e Serbisë, e ka drejtuar votimin, ku partia Demokratike e Tadiqit ka rënë nga 38 për qind sa kishte marrë në zgjedhjet e 2008-ës.

Çereku i forcës punëtore të vendit është pa punë.

Ndërkaq, në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën po ashtu në të njëjtën ditë, sipas Komisionit Zgjedhor Republikan Partia Përparimtare Serbe e Tomisllav Nikolliqit ka marrë mbi 25 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Boris Tadiqit fitoi 22 për qind të votave.

Pjesëmarrja thuhet të ketë qenë rreth 60 për qind.

Edhe Tadiq dhe Nikolliq kanë parashikuar fitoren në balotazhin e 20 majit.

"Qeveria e re do të formohet pas raundit të dytë të zgjedhjeve, dhe nuk ka dyshim, se rezultati i balotazhit, do të ketë ndikim në formimin e qeverisë. Sa për pozicionin tim, siç kam bërë në zgjedhjet e kaluara nuk do të pranoj kushtëzime, apo shantazhe. Unë pres mbështetjen e qytetarëve".

"Besoj se qytetarët do t’iu japin mbështetje edhe më të fortë sesa në raundin e parë, politikave që i kam propozuar unë
”, ka thënë Tadiq para mbështetësve në Beograd.

Ndërkohë, Nikolliq tha se Tadiq duhet të përgatitet për të bërë koncesione, duke marrë parasysh humbjet e shënuara nga demokratët.

Do të doja që të nisi që nga nesër negociatat për qeverinë e re. Iu dërgoj mesazh atyre që e konsiderojnë veten fitues politikë, se situata është krejt ndryshe nga ajo e katër vjetëve me parë dhe se ish presidenti nuk mund të llogaris në mbështetjen e atyre, që llogariste gjithnjë”, ka thënë Nikolliq.

Socialistët përfunduan të tretët në garën presidenciale dhe parlamentare, duke fituar nga 15 për qind.

Kjo paraqet dyfishim të mbështetjes për ta, krahasuar me zgjedhjet e mëhershme, që sipas disa analistëve, i shndërrojnë ata në zërin vendimtar për formimin e qeverisë së re.

Derisa socialistët pritet që t’iu bashkohen demokratëve, siç kanë bërë në zgjedhjet e katër vjetëve më pare, lideri i partisë Ivica Daçiq thotë se tashmë ata kanë fuqinë që të kërkojnë postin e kryeministrit.

Ndoshta Serbia nuk e di sot se kush do të jetë president, or e di se kush do të jetë kryeministër", ka thënë ish zëdhënësi i Sllobodan Millosheviqit në Beograd.

Franz-Lotar Altman, kreu i seksionit për Ballkanin Perëndimor në Institutin Gjerman për Politikat dhe Sigurinë në Berlin, i tha shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë tha se riformimi i koalicionit të Tadiqit mund të lejojë më shumë fleksbilitet në pozicionin e tij për Kosovën.

Mund të ndodhë që (Tadiqi) të jetë më i gatshëm tash të bëjë koncesione tjera, pas riformimit të qeverisë- ai mund të thotë, OK, tash i kemi edhe katër vjet të tjera, dhe në fillim, mund të lëvizim pak, me qëllim që të ecim me hapa tjerë drejt BE-së, që nënkupton fillimin e negociatave (me Kosovën). Kjo mund të ndodhë”, tha Altman.

Serbia vazhdon të mos njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008. Ndërkohë, përparimet në mes të Serbisë dhe Kosovës, janë parë si thelbësore, që Serbia të bëjë përparim tjetër drejt integrimit në bllokun evropian.

Tensionet në Kosovë të dielën ishin të larta, ku pakica serbe sfidoi Prishtinën zyrtare duke marrë pjesë në zgjedhje. Vëzhgues nga OSBE-ja thanë se votimi ishte “i rregullt”. (a.i.)
XS
SM
MD
LG