Ndërlidhjet

Greqi: Rezultatet e votimit e tronditën euron dhe aksionet

  • RFE /RL

Votimet në Greqi

Votimet në Greqi

Pas zgjedhjeve parlamentare në Greqi, ku dy parti qeveritare, që ishin për masat e kursimeve, e kanë humbur shumicën e tyre, euroja ka rënë në vlerën më të ulët në tre muajt e fundit, ndërsa aksionet në tregjet evropiane kanë shënuar humbje.

Partia e Re Demokratike dhe Partia Socialiste PASOK, së bashku kanë marrë vetëm 32% të votave, duke e shtyrë Greqinë në një paqartësi të re politike.

Analistët thonë se rezultatet i kanë shtuar shqetësimet lidhur me të ardhmen e ndihmës ndërkombëtare financiare për Greqinë dhe për qëndrueshmërinë e masave, që i kishte miratuar qeveria e mëparshme.

Aksionet në Athinë kanë rënë 7.7%, pas shpalljes së rezultateve, ndërsa euroja ka rënë në nivelin e saj më të ulët prej muajit janar të këtij viti.

Fitorja e Fransua Hollandit në zgjedhjet presidenciale në Francë e ka shtuar frikën për fatin e masave të kursimit të hartuara për përfundimin e krizës së borxheve në eurozonë.

Platforma e zotit Holland kundër masave të kursimit, por për rritje ekonomike, ka ndikuar që shumë në Bashkimin Evropian po presin se si ai mund ta kthejë prapa udhëheqjen e Gjermanisë për kursime.

Në Greqi, partitë qeveritare për masat e kursimit pritet që të takohen me liderët opozitarë në ditët e ardhshme, për të diskutuar krijimin e qeverisë të re, që e mbështet programin e kursimeve.

Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, në fjalimin e tij në Athinë pasi u mbyllën vendvotimet, ka premtuar krijimin e një qeverie “të shpëtimit kombëtar” që Greqia ta mbajë përdorimin e euros.

Ne jemi të gatshëm të marrin përgjegjësi për krijimin e qeverisë së shpëtimit kombëtar, me dy aspirata specifike: që vendi të mbetet në euro dhe amandamentin e politikave të marrëveshjes për ndihmë,në mënyrë që të ketë rritje dhe lehtësim në shoqërinë greke. Këtë propozim e kam dërguar te të gjitha partitë, që e pranojnë kursin evropian të vendit dhe nevojën për ndryshim të politikës ekonomike. E kuptoj zemërimin e popullit, por partia jonë nuk do të lë Greqinë pa qeverisje”, tha Samaras.

Njëherësh, koalicioni i krahut të majtë Syriza, një union kundër kursimeve i partive të majta, thotë se do të provoj ta formoj një koalicion alternativ qeverisës. Syriza ka fituar vendin e dytë për nga numri i votave në zgjedhjet e së dielës, duke marrë pothuajse 17%.

Analistët parashohin se mund të ketë përleshje të koalicioneve garuese, që potencialisht mund të shkaktojë situatë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda disa javësh.

Humbja e partive greke në pushtet, që ishin për masat e kursimeve, u bë në periudhën e protestave të gjëra kundër këtyre masave, që janë imponuar për marrëveshjen për ndihmë prej disa miliardë euro për këtë vend të zhytur thellë në borxhe.

Analistët thonë se ky zemërim ka rezultuar me sukses të partisë neo-Naziste, Agimi i Artë, e cila mund të hyjë në parlament për të parën herë, nëse konfirmohet se ka fituar 7% të votave.

Greqia deri tash i ka siguruar dy ndihma financiare në vlerë prej 240 miliardë eurosh në këmbim për premtime të kursimeve të mëdha, që tashmë kanë ndikuar në zvogëlimin e rrogave dhe pensioneve për 40%. (f. b.)
XS
SM
MD
LG