Ndërlidhjet

Bota uron presidentin e ri francez Holland


Fransua Holland
Fransua Holland
Udhëheqësit botërorë kanë uruar socialistin Fransua Holland për fitoren në balotazhin presidencial të Francës.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, e ka quajtur fitoren e tij “ngjarje historike”, duke thënë se vendet do të punojnë së bashku për të ndihmuar Bashkimin Evropian t’i përgjigjet krizës së borxheve.

Është rezultat historik ky që është arritur në Francë. Dua të theksoj se synojmë të kemi partneritet të ngushtë me presidentin e ri francez”, ka thënë Vestervelle.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka ftuar Hollandin në Berlin, pavarësisht humbjes së aleatit të saj më të afërt evropian, Nikolas Sarkozi.

Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, ka uruar po ashtu kreun e ri francez, duke u zotuar se do të punojë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Holland ka pranuar ftesë për në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan, Barak Obama, para samiteve të G8-ës dhe NATO-s në SHBA, që do të mbahen këtë muaj.

Obama ka premtuar se do të punojnë së bashku në sfidat ekonomike dhe të sigurisë.

Krerët spanjollë, italianë dhe kanadezë kanë përgëzuar gjithashtu presidentin e zgjedhur të Francës.

Me vetëm votat nga jashtë që kanë mbetur pa u numëruar, Holland ka fituar në balotazhin e 6 majit 51.67 për qind të votave, kundrejt Nikolas Sarkozisë me 48.33 për qind të tyre. Me këtë fitore, ai bëhet presidenti i parë socialist i Francës që nga viti 1995 kur Fransua Miterand ka lënë zyrën.

Fitorja e tij mund të ndryshojë edhe mënyrën se si Bashkimi Evropian menaxhon krizën e borxheve. Në dallim të madh prej Sarkozisë, ai mbështet më shumë stimuj qeveritarë dhe më shumë shpenzime qeveritare.

Holland po ashtu ka premtuar se do të ndryshojë njërën nga reformat kryesore të Sarkozisë, duke u lejuar disave pensionimin në moshën 60 vjeçare në vend të 62, dhe duke lehtësuar Francën nga varësia e saj me energjinë bërthamore.

Holland favorizon edhe legalizimin e martesave të homoseksualëve. Po sipas tij, edhe trupat franceze duhet të kthehen më herët nga Afganistani.

Pesëdhjeteshtatëvjeçari është përgëzuar nga dhjetëra-mijëra mbështetës në Paris, të cilët valëvitnin flamujt e Francës, të BE-së dhe të sindikatave të punëtorëve.
Ai, megjithatë, ka bërë thirrje për unitet, pas një fushate të ashpër me presidentin në largim, Sarkozi.

Po jetojmë një moment të madh, të bukur. Këtë fitore nuk duhet ta bëjmë fitore të hakmarrjes, refuzimit, armiqësisë apo pakënaqësisë. Jo. Duhet të jetë një fitore e bukur, madhështore, e cila lartëson vendin tonë, na bën të lumtur, na bashkon”, ka thënë Holland.

Udhëheqja e ekstremit të djathtë francez, Marinë Le Pen, e cila në raundin e parë të zgjedhjeve ka përfunduar e treta, nuk ka votuar për asnjërin nga kandidatët në balotazh. Ajo nuk ka kursyer kritikat as pas fitores së Hollandit.

Fransua Holland nuk është më i gatshëm se Nikolas Sarkozi që të përballet me të gjitha çështjet dhe, ashtu si edhe Sarkozi, shpejt do të gabojë. Andaj, në muajt e ardhshëm, duhet të jemi shumë aktivë politikisht – më shumë se kurrë”, ka thënë Le Pen para mbështetësve të saj.

Sarkozi, për të cilin analistët thonë se është ndëshkuar për shkak të dështimit për të reduktuar papunësinë, ka pranuar humbjen 20 minuta pas mbylljes së kutive të votimit. Ai i ka uruar fat Hollandit.

Holland pritet të betohet më 15 maj. (v.t.)
XS
SM
MD
LG