Ndërlidhjet

Kosovë: Zgjedhjet lokale serbe me “sherr”


Zgjedhjet serbe...
Zgjedhjet serbe...

Pushteti në Kosovë ka bërë gabim fatal që ka toleruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në dy komunat e veriut të Kosovës, në Zveçan dhe Zubin Potok, për shkak se rrethanat në skenën politike në Serbi janë të tilla, që në të ardhmen mund të njihen rezultatet e atyre zgjedhjeve nga pushteti serb, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Analisti politik Behlul Beqaj, thotë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në veri të vendit e degradon vet shtetin, ndërkohë që kritikon pushtetin i cili, sipas tij, në vend se të veprojë sipas obligimeve kushtetuese, më tepër ka përdorur retorikën.

Pushteti ka deklaruar se do ta kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ndërkaq, pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, është marrë me çështje të deklaratave politike, në kuptimin e mospranimit të legjitimitetit. Ndonëse pushteti ekzekutiv duhet të zbatojë Kushtetutën dhe ligjin, këtë nuk e ka bërë dhe për këtë ka përgjegjësi”.

Krejt kjo do ta degradojë në vazhdimësi çështjen e shtetit, institucioneve të shtetit dhe natyrisht do ta faktorizojë gjithë e më tepër praninë e Serbisë, aq më parë kur në zgjedhjet e fundit, sipas rezultateve preliminare, blloku nacionalist ka fituar më tepër se që ka pasur në zgjedhjet e kaluara”, shprehet Beqaj.

Ndërkaq, Krenar Gashi, analist i çështjeve politike, vlerëson se këmbëngulja e serbëve për t’i mbajtur zgjedhjet lokale në dy komunat e veriut ka qenë aspirata e liderëve lokalë në këto dy komuna që t’i legjitimojnë fuqitë dhe kompetencat e tyre, përkundër faktit se pushteti i deritashëm në Serbi, ka deklaruar se nuk do t’i njohë rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Megjithatë, Gashi thotë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme në raport me zgjedhjet lokale serbe të cilat janë mbajtur, si dhe për rrethanat në të cilat ato janë mbajtur.

Ajo që ka qenë e panatyrshme dhe për të cilën Qeveria e Kosovës duhet të shqetësohet dhe të angazhohet në të ardhmen afatshkurtër, është fakti që këto zgjedhje legjitimisht nuk janë përkrahur nga Republika e Serbisë, ndërsa për organizimin e tyre janë përkrahur nga Republika e Serbisë”.

Konkretisht, këtu mendoj sa i përket çështjeve të logjistikës, duke përfshirë që nga fletëvotimet, të cilat është dashur që të koordinohen me Këshillim Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Serbisë”, thotë Gashi.

Ndryshe, njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se kundërshtimet e Beogradit zyrtarë ndaj mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri, më tepër kanë qenë farsë se sa kundërshtime serioze.

Sipas tyre, rrethanat e mundshme që mund të krijohen në skenën politike të Serbisë, pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, mund të sjellin deri tek ajo që qeveria e ardhshme serbe, çfarëdo qoftë përbërja e saj, t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve lokale serbe në dy komunat e veriut të Kosovës.

Analisti Beqa, gjithë këtë situatë më shumë e karakterizon si lojë të politikanëve serbë, në mënyrë që edhe në të ardhmen t’i bëhet e mundur Serbisë që ta shtrijë pushtetin e saj në Kosovë.

Nëse, për shembull, bëhet koalicioni me Nikoliqin, gati se jam i sigurt se do të jetë i pranueshëm. Por, në momentin e pikërishëm ata kanë pasur trysni nga bashkësia ndërkombëtare dhe nuk kanë qenë të obliguar që ta pranojnë, faktikisht rezultatin e zgjedhjeve. Ndërkaq, në të ardhmen do ta shohim se krejt kjo do të jetë pjesë faktike e zhvillimeve, përmes të cilave do ta shtrij pushtetin Serbia në Kosovë”, thekson ai.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Gashi, i cili thotë se liderët politikë të zgjedhur nga zgjedhjet lokale serbe në veri, edhe pse nuk do t’ju njihet legaliteti nga Prishtina zyrtare dhe faktorët ndërkombëtarë, megjithatë, të paktën, do ta kenë legjitimitetin për shkak se janë zgjedhur nga popullata lokale.

Në fakt, një hipotezë e tillë do të ishte një rrjedhë e natyrshme e zhvillimeve politike. Të bëhem shumë i sinqertë, këta lider politik të serbëve të veriut, janë të zgjedhurit e kësaj popullate, pa marrë parasysh faktin që autoritetet e Kosovës e vënë në pikëpyetje legalitetin e tyre, ndërkaq, shumëkush në Serbi, legjitimitetin e tyre, duke pasur para sysh një nivel shumë të ulët të pjesëmarrjes së popullatës në zgjedhje”.

Megjithatë, duhet ta kemi parasysh se zgjedhja e problemit të veriut të Kosovës do të duhej të jetë një rezultat i një dialogu politik ‘pa dorëza’ në mes të Qeverisë së Kosovës dhe liderëve lokal serbë”, thotë Gashi.

Ndryshe, Gashi thekson se legjitimiteti i rezultateve të zgjedhjeve lokale serbe në komunat e veriut të Kosovës do të hidhej poshtë vetëm në rast se në zgjedhjet lokale eventuale që do t’i organizonte Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës në komunat në veri të vendit, do të kishte pjesëmarrje më të madhe të popullatës në ato zgjedhje se sa në zgjedhjet serbe që janë mbajtur së fundmi në Zubin Potok dhe Zveçan.
XS
SM
MD
LG