Ndërlidhjet

logo-print

Merkel - mesazhe Greqisë e Francës


Kancelarja Angela Merkel

Kancelarja Angela Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka ritheksuar qëndrimin e saj të fuqishëm ndaj krizës së borxheve në Greqi, duke thënë se është “shumë e rëndësishme” që Athina të vazhdojë angazhimet e saj për kursime.

Ajo i ka bërë këto komente në një konferencë për media në Berlin - një ditë pasi dy partitë greke, që kanë mbështetur masat shtrënguese, kanë humbur shumicën në parlament.

“Rezultati i zgjedhjeve në Greqi është disi i komplikuar. Por, gjëja më e rëndësishme për Greqinë tani është që të vlerësojë vetë rezultatin. Po ashtu, me rëndësi është që të vazhdojnë edhe programet, për të cilat Greqia ka rënë dakord”, ka thënë Merkel.

Greqia duhet të zbatojë një sërë masash shtrënguese, të cilat janë pjesë e detyrimeve që ka marrë në këmbim të paketave evropiane të ndihmës.

Merkel po ashtu ka thënë se pret me padurim të takojë Fransua Hollandin, presidentin e zgjedhur të Francës.

“Unë kam njoftuar se kam thirrur presidentin e ardhshëm të Francës, Fransua Holland. Ne do të punojmë së bashku intensivisht dhe do të takohemi shpejt pas inaugurimit të tij. Dua të shtoj se Fransua Holland do të jetë i mirëpritur me duar të hapura nga unë, këtu në Gjermani. Do të kemi bisedime intensive, sepse bashkëpunimi Francë-Gjermani është thelbësor në Evropë. Pasi ne të gjithë duam që Evropa të ketë sukses, ky bashkëpunim do të fillojë shumë shpejt”, ka thënë Merkel.

Holland pritet të vizitojë Gjermaninë shpejt pas inaugurimit të tij më 15 maj.

Megjithatë, Merkel ka thënë se kompakti fiskal i BE-së, për të cilin është rënë dakord në muajin mars dhe i cili ka qëllim të rrisë disiplinën fiskale në mesin e vendeve anëtare të Eurozonës, nuk është i hapur për diskutime me Hollandin.

Ky i fundit ka thënë se do të donte ta rinegocionte këtë marrëveshje.
XS
SM
MD
LG