Ndërlidhjet

CIA shkatërron komplotin kundër SHBA-së


Ilustrim
Ilustrim
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka shkatërruar së fundmi komplotin e degës së Al Kaidës në Jemen për të hedhur në erë një aeroplan të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë thonë se bomba që është kapur ka qenë e ngjashme me atë të nigerianit Umar Farik Abdulmutallab, i cili ka bërë përpjekje të dështuara për të rrëzuar avionin e pasagjerëve mbi Detroit, më 25 dhjetor të 2009-ës.

Në deklaratën e shkruar, Byroja Federale e Hetimeve thotë se posedon pajisjen, e kapur jashtë vendit. Deklarata po ashtu thotë se FBI-ja po kryen analizat teknike të saj.

“Analizat fillestare tregojnë se pajisja është shumë e ngjashme me ato që janë përdorur më herët nga Al Kaida në Gadishullin Arabik, gjatë përpjekjeve për sulme terroriste”, thuhet në deklaratë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kejtllin Hajden, tha se presidenti Barak Obama është njoftuar në lidhje me komplotin në muajin prill. “Ai është siguruar se pajisja nuk ka paraqitur rrezik për publikun”, ka thënë Hajden.

Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë thënë se bomba e kapur, ka qenë e projektuar të përdoret në të brendshmet e pasagjerit, por ka pasur sistem të ri dhe të rafinuar të shpërthimit.

FBI po heton nëse pajisja ka mundur të kalojë përmes sigurisë në aeroport.

Zyrtarët amerikanë të kundër-terrorizmit dyshojnë se pajisja e re është punë e “krijuesit të bombave”, Ibrahim Hasan al-Asiri.

Operacioni i CIA-s është zhvilluar derisa Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti për Siguri Kombëtare u kanë ofruar siguri amerikanëve se “në prag të përvjetorit të vrasjes së Osama Bin Ladenit, ata nuk janë në dijeni për ndonjë komplot terrorist kundër Shteteve të Bashkuara”.

“Nuk kemi asnjë informacion të besueshëm se organizatat terroriste, përfshirë Al Kaidën, po bëjnë komplote kundër SHBA-së, që do të përkonin me përvjetorin e vdekjes së Bin Ladenit”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni, në konferencën për media më 26 prill.

Kryeterroristi Osama Bin Laden është vrarë më 2 maj të vitit të kaluar, në një aksion të forcave të SHBA-së në Abotabad të Pakistanit.
XS
SM
MD
LG