Ndërlidhjet

Sektori privat në borxhe të mëdha


Ilustrim
Ilustrim


Sektori privat, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, ka shënuar rritje të borxhit të jashtëm.

Të dhënat për vitin 2011, të publikuara ditë më parë nga BQK-ja, tregojnë se deri në fund të vitit 2011, borxhi i jashtëm i Kosovës arriti vlerën 1.4 miliardë euro.

Vetëm në sektorin privat, borxhet e jashtme kapin vlerën prej 1 miliard e 106 milionë euro.

Kjo hyrje në borxhe, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, përveç tjerash, ka ndodhur edhe për shkak se normat e interesit në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë janë tejet të larta.

Eksperti i çështjeve ekonomike në Institutin “Riinvest”, Alban Zogaj thotë se çdo mundësi e marrjes së fondeve jashtë Kosovës është më e lirë se sa brenda Kosovës.

Sipas tij, kjo hyrje në borxhe nënkupton investim në Kosovë, dhe çdo investim në vend, thekson Zogaj, ndikon në zhvillim ekonomik.

Dhe këtu nuk ka ndonjë të keqe të madhe, nëse mund ta quaj ashtu, sepse çdo investim në Kosovë, çdo në rritje ekonomike, ka efekte pozitive. Ne jemi të interesuar për më shumë investime në ekonominë e Kosovës, dhe këto investime a vijnë nga brenda a jashtë, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Kjo po na tregon neve se po rriten investimet, dhe se investitorët privatë kanë interes për të investuar. Kjo do të çojë në zhvillim ekonomik të Kosovës”, thekson Zogaj.

Por, ndryshe nga Zogaj, shprehet eksperti i çështjeve ekonomike, njëherazi ish ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.

Ai thotë se hyrja e sektorit privat në borxhe të jashtme mund të rrezikojë ekonominë e vendit, në rast se bizneset nuk janë në gjendje të kryejnë likuiditetin dhe detyrimet ndaj borxhlinjve.

Rritja e borxheve të jashtme ndikon drejtpërdrejtë në likuiditetin e ndërmarrjeve të kompanive që i kanë marrë ato borxhe. Nëse ekonomia e vendit është në vështirësi të tilla, që ky borxh nuk e ka efektin pozitiv në rritjen e prodhimtarisë të dedikuar për eksport, e sjellë ekonominë e vendit në pozitë mjaft të vështirë”, thekson ai.

Edhe Shatri thekson se ajo çfarë e ka bërë sektorin privat të hyjë në borxhe të jashtme, është kamata e lartë në Kosovë, e cila, siç thotë Shatri, për ekonominë e Kosovës është e papërballueshme.

Por, çfarëdo qofshin borxhet, thekson Shatri, ato mund ta dërgojnë vendin në krizë ekonomike dhe sociale.

Borxhin privat nuk na e mbulon askush, nëse ekonomika nuk është efikase, nëse me ato borxhe nuk kemi mundur të arrijmë të sigurojmë një produktivitet të punës, i cili do të jetë konkurrent me ekonominë e vendeve të rajonit ose me vendet që kemi marrëdhënie ekonomike, atëherë rrezikohet edhe substanca ekonomike e Kosovës të kalojë përmes mekanizmit të kredive”, thekson ai.

Lidhur me kthimin e borxheve të jashtme që sektori privat në Kosovë i ka, eksperti i çështjeve ekonomike Alban Zogaj nuk sheh ndonjë problem në kthimin e tyre.

Ata kreditorë që e marrin këtë kontratë, ata e kanë një risk mbi vete. Por, të them të drejtën, ata kreditorë të jashtëm janë mjaft profesionistë dhe saktësisht e dinë se me cilat kompani duhet të hyjnë në marrëveshje kontraktuale, dhe këtu nuk shoh ndonjë problem në këtë drejtim”, thekson Zogaj.
XS
SM
MD
LG