Ndërlidhjet

Francë, Greqi: Çfarë do të bëhet me masat shtrënguese?!


Hija e presidentit të sapo zgjedhur francez, Fransua Holland...
Hija e presidentit të sapo zgjedhur francez, Fransua Holland...
Mbështetësit e politikave shtrënguese për menaxhimin e krizës evropiane të borxheve, kanë pësuar goditje të fortë më 6 maj, kur qytetarët francezë dhe grekë kanë hedhur votat e tyre për kundërshtarët e patundur të këtyre politikave.

Në Francë, socialisti Fransua Holland ka rrëzuar kreun e qendrës së djathtë, Nikolas Sarkozi, duke u bërë presidenti i parë socialist në më shumë se 20 vjet.

Holland ka sfiduar hapur kursin e kursimeve, të mbajtur nga presidenti në largim, Nikolas Sarkozi, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke thënë se rritja, në vend të shkurtimeve të thella, mund të heqë Evropën nga recesioni.

Duke folur para mbështetësve të tij pas fitores më 6 maj, Holland ka thënë se misioni i tij ka qenë “t’i japë projektit evropian dimensione të rritjes, punësim dhe begati – me pak fjalë, të ardhme”.

Në të njëjtën ditë, votuesit në Greqi – vendin e goditur më së keqi nga kriza – kanë ndëshkuar qeverinë e tyre për masat shtrënguese, të imponuara në vitet e fundit, duke u dhënë partive kundërshtuese të tyre gjysmën e votave në zgjedhjet për legjislativ.

Monedha euro, të hënën, ka pësuar rënien më të madhe në tre muaj, nga pasiguria për fatin e politikave shtrënguese, të projektuara për t’i dhënë fund krizës.

Analisti i Bankës BNP Paribas, Bertrand Lamiell, thotë:

Është i rëndësishëm reagimi për atë që ka ndodhur në Greqi, ku rezultatet e zgjedhjeve kanë kthyer partitë kundër masave shtrënguese. Pra, shqetësimet në rritje janë përsëri për Greqinë”.

Në Francë, Fransua Holland është zotuar se do të ngadalësojë shkurtimet në shpenzimet buxhetore, të ndërmarra nga paraardhësi i tij.

Ai planifikon të përfshijë taksa më të larta për të pasurit dhe shpreson të ndryshojë paktin fiskal të Bashkimit Evropian, nën të cilin 17 anëtaret e Eurozonës kanë rënë dakord për masa të ashpra, me qëllim frenimin e deficiteve.

Analisti Lamiell thotë se tregjet e aksioneve do të shikojnë nga afër Hollandin në muajt e ardhshëm, derisa politikat e tij ekonomike të marrin formë.

Presidenti i ri, Fransua Holland, ka pak hapësirë për manovrim. Synimi është vendosur – bëhet fjalë për reduktimin e deficiteve për t’i dalë në krye krizës së borxheve. Andaj, ne jemi duke pritur se cilat do të jenë masat e tij kryesore, të bëra publike në fjalimin e tij të parë politik”, thotë Lamiell.

Holland do të përballet me rezistencë të ashpër gjatë përpjekjeve të tij për t’u fokusuar në më shumë në rritje, sesa në shkurtime.

Ndonëse Sarkozi dhe koalicioni qeverisës grek janë në mesin e udhëheqësive që janë ndëshkuar nga qytetarët, për shkak të masave shtrënguese, Banka Qendrore Evropiane, së bashku me aleatët e Merkelit, vazhdon të kundërshtojë fuqishëm çdo ndryshim radikal të politikës ekonomike evropiane.

Presidenti i saj, Mario Draghi, ka folur kundër krijimit të bonove të përbashkëta evropiane, të propozuara nga Holland për financimin e projekteve të ardhshme industriale dhe infrastrukturore.

Analisti francez, Olivier Ferand, beson se Holland është i vetëdijshëm për litarin e hollë në të cilin duhet të ecë dhe “do të zgjedhë të plotësojë paktin e stabilitetit”, duke u qëndruar besnikë dëshirave të votuesve francezë.

Krahu i majtë francez është plotësisht i vetëdijshëm për nevojën e kursimit të buxhetit, për nevojën e pastrimit të shpenzimeve publike".

"Por, nëse e gjitha çfarë bëjmë është pastrimi i shpenzimeve publike, ne do të futemi në rreth vicioz si Spanja ose Greqia – masat shtrënguese nxisin recesionin, recesioni krijon deficitet, deficitet kërkojnë më shumë masa shtrënguese".

"Për ta shmangur këtë rreth vicioz, duhet të ndërmerret edhe nisma për rritje, së bashku me masat e nevojshme shtrënguese
”, thotë Ferand.(v.t.)
XS
SM
MD
LG