Ndërlidhjet

Shkup: Bashkësia Islame dënon urrejtjen ndërfetare


Ilustrim
Ilustrim
Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni ka bërë thirrje për maturi, arsye dhe drejtësi, duke përkrahur çdo veprim që do të çonte në zbulimin e dorasve të vërtetë të vrasjes së pesëfishtë në fshatin Smillkovcë.

BFI ka mbajtur sot një takim me gazetarët në Shkup, me ç’rast i ka cilësuar si antiligjore vlerësimet e Ministres për Punë të Brendshme, Gordana Jankullovska, se një pjesë e të arrestuarve në aksionin “Monstrum” janë “radikalë islamikë”.

BFI në përputhje me mësimet islame e gjykon vrasjen e pesë qytetarëve të Maqedonisë, shpreh ngushllime për familjarët, duke ndarë bashkë dhembjen dhe pikëllimin. Ne jetojmë në shoqëri shumë-konfesionale dhe shumë-nacionale dhe kalojmë nëpër momente shumë të ndjeshme dhe për atë shkak është e nevojshme të sundojë mendja e shëndoshë, ndershmëria dhe drejtësia”.

I përkrahim përpjekjet që të gjinden vrasësit dhe të gjithë të japin përgjegjësi për veprën e tyre në përputhje me ligjin. Deklarimet publike të ministrisë kompetente, për një pjesë nga grupi i të arrestuarve se janë radikalë islamikë, para se të argumentohet statusi i tyre në bazë të vendimit gjyqësor, paraqet gjithashtu një veprim joligjor”, ka deklaruar zëdhënësi i BFI-së, Driton Dikena.

Ai me këtë rast ka theksuar se literatura fetare e gjetur në shtëpitë e të arestuarve si të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në asnjë mënyrë nuk mund të paraqitet si argument se ata i përkasin grupepeve radikale islamike.

Prej kur posedimi i Kuranit dhe literaturës fetare qenka vepër penale dhe me cilin ligj myslimanëve u ndalohet që në shtëpitë e tyre të mbajnë Kuran dhe literaturë fetare?”, tha Dikena.

BFI ka denoncuar gjithashtu edhe nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike, përmes së cilës, siç ka theksuar ai, qeveria mëton në mënyrë absurde të afrojë vendin drejt NATO-s dhe BE-së.

Me nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike, nga vetë mbajtësit e pushtetit me qëllim që të afrohen drejt integrimeve euroatlantike, është një rrugë e gabuar dhe shumë e rrezikshme. Kushtet e anëtarësimit në NATO dhe BE janë shumë të qarta sidomos në sferën e lirive dhe të të drejtave qytetare dhe fetare të njeriut”.

Edhe njëherë, bëjmë me dije se kriminelët e vërtetë dhe vetëm ata duhet të dënohen, dhe çdo ngjarje të mos shfrytëzohet në të ardhmen, për të ofenduar islamin nga kushdo qoftë, e më së paku nga ata të cilët duhet të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet”, është shprehur zëdhënësi i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni.

Këto vlerësime vijnë pas paralajmërimeve nëpër rrjetet sociale, të cilat janë transmetuar edhe nëpër mediat në Maqedoni, për protesta këtë të premte, në të gjitha qytetet e banuara me shqiptarë. Bashkësia Fetare Islame ka refuzuar të komentojë protestat e një jave më parë dhe ato që paralajmërohen të mbahen.
XS
SM
MD
LG