Ndërlidhjet

FT: BE përballë testit më serioz në historinë e saj


Ilustrim

Ilustrim

"Financial Times"


Pesëdhjetepesë vjet pas Traktatit të Romës, i cili ka themeluar Komunitetin Ekonomik Evropian, pasardhësi i tij, Bashkimi Evropian, po lufton t’i dëshmojë vetes dhe pjesës tjetër të botës se mund të kapërcejë sfidën më të madhe.

Ajo çfarë ka nisur katër vjet më parë si emergjencë në sektorin financiar dhe pastaj ka evoluar në krizë të borxhit sovran, në vitin 2011 është zgjeruar në kërcënim të madh për unionin monetar evropian.

Por, në mesin e gjithë këtyre trazirave, nganjëherë harrohet se Bashkimi Evropian, me gjithë problemet e tij, ka edhe arritje.

Me 27 shtete anëtare dhe me më shumë se 500 milionë njerëz, BE-ja është tregu më i madh i përbashkët në botë.

Shumë nga qytetarët e saj gëzojnë standarde, që u ka zili bota. Modeli i saj social dhe ekonomik është i tendosur, por përshtatet në përgjigje të krizës financiare.

Për më tepër, procesi i integrimit, që ka nisur me Belgjikën, Holandën, Luksemburgun, Francën, Gjermaninë dhe Italinë në vitin 1957, ka qenë mjaft dinamik për të tërhequr pasues të tjerë në gjysmëshekullin tjetër.

Anëtarësimi në BE ka ndihmuar stabilizimin e demokracive të reja në Greqi, Portugali dhe Spanjë dhe, më vonë, ka bashkuar kontinentin e ndarë si pasojë e Luftës së Dytë Botërore, duke lejuar hyrjen e 10 ish-shteteve komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Dëshira e Serbisë dhe e vendeve të tjera të ish-Jugosllavisë për t’iu bashkuar, dëshmon për karizmin e bllokut si shtyllë të lirisë dhe prosperitetit.

Megjithatë, kriza aktuale është marramendëse në strukturën e integrimit.

Në termat politikë, dëmi është i dukshëm në shfaqjen e partive populiste, të cilat shfrytëzojnë pasigurinë ekonomike të publikut dhe identitetin e thyer kombëtar.

Futja në përdorim e euros më 1999 ka përshpejtuar integrimin e tregjeve financiare të Evropës, por ashtu siç ka vënë në dukje edhe Banka Qendrore Evropiane në raportin e muajit prill, trazirat në sektorin bankar dhe tregjet e borxheve nga viti 2007 kanë ndaluar këtë zhvillim dhe, në disa segmente, i kanë dhënë kah të kundërt.

Shumë banka janë tërhequr në tregjet e veta, duke larguar veten nga borxhet e institucioneve financiare dhe qeverive jashtë vendit.

Hendeku mes ekonomive më të forta dhe më të dobëta të Eurozonës 17-anëtarëshe është gjithnjë e më i madh, derisa kriza vazhdon të zgjerohet.

Papunësia në Gjermani ka rënë në 6.7 për qind në muajin mars, por në Spanjë është rritur në 24.4 për qind. Afërisht, gjysma e spanjollëve nën moshën 25-vjeçare janë të papunë.

Tani, pyetja e madhe është nëse Spanja, e zhytur thellë në recesion dhe me bankat e saj të shkatërruara, do të kërkojë ndihmë emergjente si Greqia dhe Portugalia?!

Trajtimi i krizës do të bëjë thirrje për udhëheqje të guximshme të Gjermanisë, shtetit më të populluar dhe më të fuqishëm ekonomikisht të BE-së, ashtu si edhe të Bankës Qendrore Evropiane. Shumë do të pritet edhe nga Franca me presidentin e ri të zgjedhur, Fransua Holland, dhe me qeverinë e re që të dalë nga zgjedhjet e qershorit.

Një BE më e bashkuar dhe më përgjegjëse do të ishte më tërheqëse për politikanët në mbarë Evropën, por mbetet pyetje e hapur nëse të gjitha shtetet anëtare do të pajtoheshin për një bashkim të tillë politik.

Bashkimi Evropian, kohë më parë, ka braktisur idenë se të gjitha anëtarët duhet të ndjekin me të njëjtën shpejtësi rrugën e integrimit.

Në çdo rast, prioritet thelbësor mbetet trajtimi i krizës financiare. Edhe planet më të mira të arkitekturës për të ardhmen e Evropës do të ishin asgjë, nëse kriza shkakton dëme të pariparueshme në bllok. (v.t.)
XS
SM
MD
LG