Ndërlidhjet

Thaçi: Do festojmë 9 Majin, së shpejti si pjesë e BE-së


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në urimin drejtuar qytetarëve, me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës, ka shprehur bindjen se Republika e Kosovës “do ta festojë këtë festë në një periudhë të afërt si shtet anëtar i Bashkimit Evropian”.

“Kosova ka filluar ta përmbushë këtë ëndërr shumë shekullore me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Jam i përkushtuar që në emër të Qeverisë që udhëheq dhe në emrin tim të punoj në drejtim të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të nevojshme që Kosova ta zë vendin e vet të merituar në mesin e shteteve të familjes së madhe evropiane”, thuhet në urimin e kryeministrit.

“Kjo ditë shënon paqe në Evropë, themelimin e një Unioni supranacional, në shërbim të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik të Evropës dhe respektimin e diversitetit, duke e shndërruar atë në vlerë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se Kosova si shteti më i ri në mesin e popujve të Ballkanit po punon në drejtim të krijimit dhe forcimit të vlerave evropiane në këtë rajon.

“Për Kosoven kjo ditë do të shërbejë si simbolikë shumë domethënëse e zhvillimit të rajonit si tërësi në frymën evropiane, bashkëpunimit reciprok ndër-shtetëror, bazuar në parimet fundamentale të barazisë mes popujve, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, për ecjen drejt një të ardhme prosperuese për të gjithë popujt tanë”, thuhet ndër të tjera në urimin e kryeministrit Thaçi.
XS
SM
MD
LG