Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia, ende larg Evropës


Maqedoni - foto nga arkivi

Maqedoni - foto nga arkivi

Me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës, në Maqedoni janë organizuar manifestime të shumta, ndërsa presidenti, Gjorgje Ivanov, përmes një letre dërguar presidentit të BE-së, Herman Van Rompuj ka theksuar përkushtimin e qytetarëve të Maqedonisë për të realizuar, siç ka thënë ai, ëndrrën e tyre për anëtarësim në familjen evropiane të popujve.

Presidenti Ivanov ka thënë se letër se “përkundër pengesave të shumta dhe të padrejta”, beson se në periudhën e ardhshme, Maqedonia do të mund të fillojë negociatat për anëtarësim.

“Në këtë proces ne nuk duam privilegje, por kriteret e njëjta që janë aplikuar edhe për shtetet tjera anëtare të BE-së”, ka thënë në letër presidenti Ivanov.

Por, sa ka përmbushur Maqedonia kriteret për anëtarësim? Njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare thonë se Maqedonia ende është larg Evropës dhe kjo për fajin e “politikanëve të pandërgjegjshëm”.

Sipas meje, ne jemi shumë larg integrimeve evropiane, si pasojë e mungesës së vullnetit politik të qeverisë aktuale".

"Gjegjësisht kjo përbërje nuk ka interes për ta shtyrë procesin para, madje mendoj se edhe në aspektin strategjik, qeveria është e pozicionuar në një vend tjetër, dhe jo drejt BE-së, por nuk ka guxim që këtë ta pranojë publikisht, sepse sipas të gjitha sondazheve të realizuara, mbi 90 % e qytetarëve besojnë se i përkasin BE-së".

"Megjithatë, nëse sondazhet do të tregonin një realitet ndryshe, jam e bindur se kreu i qeverisë menjëherë do të deklarohej se Maqedonia nuk ka asgjë me Bashkimin Evropian
”, shprehet Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për edukim evropian.

Ajo thekson se procesin e integrimit të vendit në BE, tashmë e pamundësojnë edhe zhvillimet në Greqi, që për shkak të mungesës së stabilitetit politik, do të jetë e pamundur që dikush nga ana e tyre të ulet dhe të negociojë për zgjidhjen e çështjes së emrit, që mbetet një nga pengesat kryesore për anëtarësim në NATO dhe BE.

Dita e 9 majit në Maqedoni, për ish-diplomatin, Alajdin Demiri, është një ditë e zakontë sikur 8 apo 10 maji.

Maqedonia është ende larg integrimit në bashkësinë evropiane, edhe pse kjo është në agjendën e qeverisë, është një kërkesë e gjithë partive politike, por në të vërtetë nuk bëhet as një hap në drejtim të integrimit në BE. Shpeshherë përmendet kontesti i emrit, por ky nuk është i vetmi. Qeveria, me mjeshtri i fsheh edhe kriteret tjera të cilat duhet të përmbushen për të fituar statusin e negociatorit, e më pas edhe të anëtarit të BE-së”, thotë Demiri.

Ngjashëm si Lidija Dimova, edhe ai sheh vështirësi të shumta në arritjen e zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, për shkak të rritjes së ndikimit të forcave nacionaliste në zgjedhjet në Greqi, të cilat, as që duan të dëgjojnë për të negociuar zgjidhje me Maqedoninë.

Kjo, sipas tij, nuk do të ketë ndikim vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë.

Kjo është një situatë e cila do të ketë ndikim, do të ketë ndikim edhe atë jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Atje nuk do të mund të krijohet qeveri, në kuptimin e qeverisë stabile, e cila do të mund të ballafaqohet me kthimin e borxheve, për arsye se këtë e pengon elektorati i vet”, thekson Demiri.
XS
SM
MD
LG