Ndërlidhjet

Shpërthim në Tiranë, vritet jordanezi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi i ka marrë jetën shtetasit jordanez Anuar Rizik, 43 vjeç ndërsa dilte nga shtëpia e tij që ndodhet shumë pranë selisë së Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 7 e 30 të mëngjesit. Eksplozivi u aktivizua sapo viktima hapi derën e portës së jashtme në oborrin e shtëpisë, njofton korrespondentja e Radios Evropa e Lirë në Tiranë.

Anuar Rizik jetonte prej 14 vitesh në Shqipëri dhe punonte si zëvëndës menaxher i përgjithshëm në një fabrikë çimentoje në Fushë –Krujë, qytet pak kilometra larg Tiranës.

Dyshimet e para mbi autorët e mundshëm të vrasjes së shtetasit jordanez e kanë çuar policinë në shoqërimin e 15 personave, të gjithë pjesëtarë të familjes Zalla me banim në Fushë Krujë, të cilët kanë patur në pronësi truallin ku është ngritur fabrika e çimentos.

Disa prej të shoqëruarve rezultojnë të jenë arrestuar pak muaj më parë për vendosje tritoli në afërsi të fabrikës. Ndërkohë policia ka sekuestruar pamjet filmike që kanë regjistruar disa parkime pranë vendit të ngjarjes dhe ka kërkuar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së Ambasadës Amerikane që do të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
XS
SM
MD
LG