Ndërlidhjet

BE: Zbatimi i reformave i takon Prishtinës


Kosova shënon 9 majin - Ditën e Evropës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:49 0:00

Kosova shënon 9 majin - Ditën e Evropës


Me vlerësimin se është ende në fillim të procesit integrues për në Bashkimin Evropian, Kosova shënoi me një varg aktivitetesh 9 Majin - Ditën e Evropës.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuell Zhbogar, i tha Radios Evropa e Lirë se, ndonëse e fundit në rajon, Kosova është në rrugë të mbarë në procesin e integrimit evropian.

Zhbogar shfaqi shpresën që në vjeshtën e këtij viti të Kosova të jetë në gjendje ta nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në, por theksoi se i takon palës kosovare t’i zbatojë reformat e kërkuara në sundimin e ligjit, procesin e demokratizimit, atë të reformave ekonomike dhe të tjera.

Samuel Zhbogar
Samuel Zhbogar
“Besoj që, sapo të ketë hyrë në këtë proces (sapo të jetë nënshkruar MSA), do të jetë më e lehtë edhe për Kosovën t’i zbatojë ato reforma. Do të ketë një lloj makinerie që do t’i shtyjë ata përpara dhe ajo (makineri) do të jemi ne me kërkesat, këshillat dhe angazhimin tonë”, u shpreh Zhbogar.

Diplomati slloven theksoi rëndësinë për një përkushtim më të madh në dialogun për sundimin e ligjit, që pritet të lansohet në fund të këtij muaji, dhe për krijimin e një agjende gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës.

Rëndësia për vendosjen e një dialogu më politik për problemin e veriut është theksuar përgjatë muajve të kaluar vazhdimisht nga diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë.

Një dialog i tillë thuhej se do të mund të niste në vjeshtën e këtij viti pas formimit të qeverisë së re në Serbi, por Zhbogar u shpreh në mbështetje të një dialogu të brendshëm që do të zhvillohej ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve lokalë të veriut të Mitrovicës.

I pyetur për rolin eventual të Beogradit zyrtar në këtë proces, ai theksoi:
Kur bëhet fjalë për përfshirjen e Serbisë: për këtë duhet të vendosin njerëzit në Kosovë...

“Kur bëhet fjalë për përfshirjen e Serbisë: për këtë duhet të vendosin njerëzit në Kosovë - pra, në momentin kur ata mendojnë se duan të flasin me Serbinë për disa nga çështjet ku ata mund të jenë të angazhuar, si edukimi dhe gjërat e tjera që përmenden në Planin Ahtisari. Ajo që mendoj se duhet të fillojmë është dialogu këtu në Kosovë me komunitetin në veri”.

Integrimi i veriut të Mitrovicës në jetën shoqërore e institucionale të vendit vlerësohet të jetë në mesin e sfidave në procesin e integrimit evropian të Kosovës, ku po ashtu figurojnë, luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, depolitizomi i sistemit gjyqësor, reforma e administratës publike dhe të tjera.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, tha se në vitin e ardhëm 9 Maji do të hiqet nga kalendari i festave zyrtare. Për të hyrë në BE, sipas saj, duhet të punohet në drejtim të zbatimit të reformave.

“Unë e kuptoj këtë demonstrim të sotëm si një mundësi e jona për të dërguar sinjale të forta në Bruksel që ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane, por përfundimisht pjesë e BE-së do të bëhemi atëherë kur t’i përmbushim reformat dhe detyrimet”, u shpreh Çitaku.

Vendet e Bashkimit Evropian më 9 Maj rikujtojnë nismën e ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, për themelimin e mekanizmit, pjesë e të cilit janë.
XS
SM
MD
LG