Ndërlidhjet

BE kritikon ashpër radikalët grekë


Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompei dhe presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, foto nga arkivi
Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompei dhe presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, foto nga arkivi
Përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, kanë kërkuar nga Greqia, që edhe pas zgjedhjeve të së dielës të respektojë marrëveshjet e arritura me Bashkimin Evropian në lidhje me pakon e shpëtimit dhe masat shtrënguese të kursimit.

“Greqia duhet të respektojë marrëveshjen, ashtu sikurse këtë duhet ta bëjnë edhe shtetet tjera. Çështja e kredibilitetit nuk ka të bëjë vetëm me Greqinë, por me tërë eurozonën. Është shumnë e rëndësishme që të kuptohet se nëse kjo marrëveshje nuk respektohet, kjo do të jetë shumë negative për Greqinë”, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso.

Në forumin Evropa, të mbajtur për nder të Ditës së Evropës në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompei, tha se nacionalizmi nuk është përgjigja e duhur ndaj krizës në Greqi.

“Popullizmi dhe nacionalizmi nuk janë përgjigje të duhura për çështjet që aktualisht janë në rrezik. Ata që deklarojnë se një vend, që merr rrugën e izolimit, mund të jetë i suksesshëm, jo vetëm që po krijojnë iluzion, por edhe gënjejnë”, tha Rompei.

Komentet e tyre vijnë, pasi që në Greqi, në zgjedhjet e së dielës, kanë fituar në masë të madhe partitë radikale, si të krahut të djathtë, ashtu edhe atij të majtë.

Partitë që deri tash kanë qenë në pushtet dhe që mbështesin masat shtrënguese të kursimit, kanë pësuar humbje të thellë, ndërkohë, që negociatat për koalicionin e ri qeverisës kanë ngecur.
XS
SM
MD
LG