Ndërlidhjet

logo-print

Reporterët pa Kufij mirëpresin kthimin e Kodit në Kuvend


Logo e Reporterëve pa Kufij

Logo e Reporterëve pa Kufij

Reporterët pa Kufij kanë përshëndetur kthimin në Kuvend të Kodit të ri Penal të Kosovës nga ana e presidentes Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar rishqyrtimin e neneve që kërcënojnë lirinë e shtypit.

"Ne përshëndesim këtë vendim nga presidentja, e cila ka treguar se është e vëmendshme ndaj shqetësimeve të gazetarëve vendas dhe komunitetit ndërkombëtar," ka thënë organizata për lirinë e shtypit.

"Implikimet e rrezikshme të ligjit në formën e tanishme më në fund janë pranuar nga niveli më i lartë”, ka thënë organizata duke shtuar se do të mbetet vigjilente dhe do ta ndjekë për së afërmi debatin parlamentar.

“Është jetike që gazetarët të gëzojnë mbrojtje ligjore dhe të mos jenë subjekt i i dënimeve penale pse po e kryejnë punën e tyre. Presidentja duhet të ndjekë të gjitha mjetet brenda mandatit të saj për të mbrojtur organizatat mediatike nga presionet ligjore, që nuk bëjnë gjë tjetër, pos që forocojnë vetë-censurën”, ka vlerësuar grupi Reporterët pa Kufij.

Dy nenet e kontestueshme nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare të mediave, neni 37 dhe 38, janë cilësuar si “përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese”.

Nenet në fjalë kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.
XS
SM
MD
LG