Ndërlidhjet

Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se duke i marrë parasysh përpjekjet që zyrtarët qeveritarë janë duke i bërë në këtë drejtim , vitin e ardhshëm Kosova do të jetë anëtare e OBSH-së.

Duke pasur parasysh përpjekjet që jemi duke i bërë, në përgjithësi të Qeverisë së Kosovës, për anëtarësimin e shtetit tonë në organizmat e kombeve të bashkuara, unë mendoj se viti i ardhshëm do të jetë vit kur Kosova do të jetë anëtare e OBSH-së”, shprehet ministri Agani.

Por jo edhe Skender Syla, udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë mendon kështu.

Ai ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet të aplikojnë për t’u anëtarësuar në OBSH, e që një gjë e tillë deri tani nuk është bërë.

Zoti Syla shpjegon edhe procedurat se si Kosova duhet të jetë anëtare e kësaj organizate.

Anëtarësimi i Kosovës varet nga shtetet anëtare, procedurat janë të qarta, institucionet duhet të aplikojnë për t’u anëtarësuar, gjë që nuk është bërë deri tani. Pastaj janë shtetet anëtare, që me shumicë votash vendosin se a do të jetë shtet anëtar apo jo”, bën të ditur Syla.

Por çka do të përfitojë Kosova si anëtare e Organizatës Botërore e Shëndetësisë? Zoti Syla jep më shumë hollësi rreth kësaj çështjeje.

Kosova do të përfitojë për shkak se do të jetë nënshkruese e marrëveshjeve të ndryshme; qoftë marrëveshje për kontrollin e duhanit, apo edhe marrëveshje ndërkombëtare për rregullore ndërkombëtare të shëndetit, të cilat i obligojnë shtetet që të përgatisin kapacitetet e tyre në ndonjë rast të kërcënimit të shëndetit publik”.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka pohuar se së pari duhet të përshtatet legjislacioni i Kosovës me rregullativën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kjo meqenëse, siç deklaron ai , rregullorja e OBSH-së ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2005, dhe pas kësaj, Kosovës iu ka dhënë mundësia të marrë pjesë në të gjitha konferencat ndërkombëtare dhe rajonale të kësaj organizate.

Duke marrë parasysh që IKSHP kemi qenë të pranishëm për shkak të rolit dhe rëndësisë së përhapjes së sëmundjeve, qoftë si epidemi apo ngjarjeve të jashtëzakonshme që kanë të bëjnë me kërcënim të shëndetit”.

Ne kemi propozuar në Parlamentin e Kosovës, pas këtij viti, dhe kemi miratuar ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, ku neni 3.2 thotë se me propozim të IKSHP-së Ministria e Shëndetësisë do të marrë masa dhe do të procedojë sipas rregullativës ndërkombëtare shëndetësore. Pra bazën kryesore të futjes në legjislacion, ne e kemi bërë tashmë kaherë, duke qenë se kemi qenë të kujdesshëm me kohë, që të fusim këtë në legjislacion”, thotë Ramadani.

Por, ai thotë se duke e marrë parasysh avancimin që e ka pasur Instituti Kombëtar që ai udhëheq, së shpejti do të kompletohet edhe infrastruktura e ekzistuese, dhe do të ndodhë edhe anëtarësimi në OBSH.

Duke pasur parasysh se ne nuk jemi anëtar të OBSH-së, ne presim që në vrazhdën e këtij afati kohor të implementimit, t’i bëjmë përgatitjet që kanë mbetur në legjislacion, dhe të kompletohet infrastruktura ekzistuese që është në funksion, duke e pasur parasysh që ne kemi përparuar në diagnostikimin e sëmundjeve që tashmë e kanë përhapje jo vetëm shtetërore, por edhe rajonale dhe ndërkombëtare, dhe në këtë drejtim kemi marrë masa për parandalimin e tyre”.

E ministri Agani kërkon mbështetje edhe nga ministritë tjera, edhe pse ka premtuar se Kosova do të jetë anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vitin e ardhshëm.

Ajo që na mungon e që duhet ta realizojmë është një koordinim më i mirë i aktiviteteve të faktorëve të ndryshëm që kanë të bëjnë me shëndetin publik. Më konkretisht, mendoj koordinimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme, të jashtme , të bujqësisë, transportit, mjedisit”.

Sepse, hyrja në shtet janë ato pikat në të cilat bëhet identifikimi i sëmundjeve të ndryshme që mund të ketë kapacitet të epidemive dhe pandemive. Prandaj, koordinimi i këtyre aktiviteteve dhe krijimi i resurseve njerëzore që do të kontaktojnë drejtpërdrejtë me OBSH-në” .

Sidoqoftë, Tomas Hofman, përfaqësues i zyrës rajonale të OBSh-së për Evropë, ka deklaruar se do t’i informojë zyrtarët shëndetësorë lidhur me rregulloret ndërkombëtare të shëndetit, ku OBSH-ja i ka dy dokumente në nivelin global.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG