Ndërlidhjet

Greqi: Koalicioni në duart e socialistëve


Greqi
Greqi
Kreu i Partisë Socialiste të Greqisë, Evangelos Venizelos, duhet të bëjë përpjekje të formojë koalicionin qeverisës, një ditë pasi përpjekjet e partisë radikale të krahut të majtë, e cila kundërshton masat shtrënguese të vendit, kanë dështuar.

Partitë kryesore greke, përfshirë edhe partinë e Venizelos, kanë lënë të kuptohet se mund të kërkojnë të rishikojnë kushtet e paketës ndërkombëtare të ndihmës – të krijuar për ta shpëtuar Greqinë nga falimentimi.

Aleksis Tsipras, udhëheqësi i partisë radikale majtiste Syriza, e cila në zgjedhjet e 6 majit ka dalë e dyta, ka thënë se nuk është i gatshëm të bëjë kompromise për masat shtrënguese, si kusht për të formuar koalicionin.

Ose ka politika të gabuara, si këto të paketës së ndihmës, të cilat do të vazhdojnë në doza më të mëdha ose më të vogla dhe do të na çojnë drejt katastrofës, ose do të kërkojmë zgjidhje tjetër, përtej këtyre politikave të gabuara katastrofale”, ka thënë Tsipras.

Pasi komunistët dhe e majta demokratike kanë refuzuar t’i bashkohen Syriza-s në koalicion, Tsipras ka deklaruar:

Nuk mund ta bëjmë ëndrrën realitet dhe të formojmë qeverinë e krahut të majtë”.

Antonis Samars, kreu i partisë që mbështet masat shtrënguese – Demokraica e Re – para takimit me Tsiprasin ka thënë se nuk mund të pajtohet për koalicion me Syriza-n, sepse kërkesat e kësaj të fundit do të sillnin falimentimin e Greqisë.

Zoti Tsipras, me dënimin e marrëveshjes për kredi, kërkon diçka krejtësisht ndryshe, që do ta izolonte Greqinë. Ai nuk kërkon nënshkrimin tim, ai kërkon që unë të pranoj daljen e Greqisë nga euroja dhe falimentimin e vendit. Këtë nuk do ta bëj”, ka thënë Samaras.

Ky i fundit po ashtu ka dështuar të formojë koalicionin më 7 maj.

Tsipras ka thënë se do t’i kthejë mandatin presidentit të vendit, Karlos Papulias, i cili më pas i kërkon Partisë Socialiste dhe udhëheqësit të saj, Venizelos, të formojnë koalicionin qeverisës.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë paralajmëruar se ndihma që dorëzohet sot, mund të jetë e fundit nëse Athina tërhiqet nga angazhimet e saj për reforma.

Kërcënimi ka rritur shqetësimet në lidhje me anëtarësinë e ardhshme të Greqisë në zonën e monedhës euro.

Partia Socialiste, në zgjedhjet parlamentare të 6 majit, ka përfunduar e treta.

Nëse në ditët e ardhshme nuk arrihet marrëveshje, në muajin qershor do të mbahen zgjedhe të reja.

Athina duhet të zbatojë masa shtrënguese në vlerë prej 14.5 miliardë eurosh deri në qershor, në mënyrë që të kualifikohet për fonde të tjera të ndihmës nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Të mërkurën, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, u ka thënë gazetarëve në Bruksel se fati i Greqisë në Eurozonë varet nga bisedimet aktuale.

Fati i Greqisë në Eurozonë është në duart e Greqisë. Tani, Greqia do të vendosë për rrugën që dëshiron ta ndjekë”, ka thënë Vestervelle.(v.t.)
XS
SM
MD
LG