Ndërlidhjet

BE e quan terrorist sulmin në Damask


Sulmi i dyfishtë në damask, 10 maj, 2012

Sulmi i dyfishtë në damask, 10 maj, 2012

Bashkimi Evropian e dënoi atë që e përshkruajti si "një akt të terrorizmit të pastër" në Damask, por theksoi se plani sirian i paqes i hartuar nga i dërguari ndërkombëtar Kofi Anan, mbetet "mënyra më e mirë për të shkuar përpara."

"Sulmet e dyfishta me bomba ... duket se kishin në shënjestër një numër të madh të viktimave si dhe shkaktuan dëme materiale”, citoi DPA Majkëll Manin, zëdhënësin e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së Ketrin Eshton.

“Incidentet në rritje të sulmeve me bomba dhe shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit e bëjnë misionin e Ananit gjithnjë e më të vështirë”, ka thënë ai.

Televizioni sirian shtetëror tha se nga dy shpërthimet e fuqishme që goditën Damaskun kanë vdekur mbi 50 persona dhe janë plagosur 170 të tjerë.

Televizioni i ka quajtur shpërthimet "sulme terroriste". Pamjet televizive treguan dhjetra automjete të djegura dhe të shkatërruara, sikurse edhe trupa të djegur.

Raportet thonë se shpërthimet, të cilat goditën pak para orës 8, kishin në shënjestër një bazë të zbulimit ushtarak.

Askush nuk ka marrë përgjegjësinë. Kreu i misionit vëzhgues të Kombeve të Bashkuara gjeneral-majori Robert Mud ka vizituar skenën e ngjarjes dhe i ka dënuar sulmet.
XS
SM
MD
LG