Ndërlidhjet

Bisedimet me Beogradin kushtëzohen me çështjen e të pagjeturve


Kuvendi i Kosovës (Foto arkiv

Kuvendi i Kosovës (Foto arkiv

Kryengociatorja kosovare në bisedimet Prishtinë- Beograd, Edita Tahiri, dhe Qeveria e Kosovës, në përgjithësi, janë kritikuar ashpër nga shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, për moszbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe bisedimet që janë zhvilluar për këtë çështje me palën serbe në Bruksel.

Deputetët kanë kërkuar që bisedimet me Serbinë, nuk duhet të vazhdojnë pa zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.

Ata kanë thënë, po ashtu, se deri më tash në drejtim të zgjidhjes së fatit të personave që mungojnë, rezultatet janë zero.

Por, Edita Tahiri, kryenegociatore e Kosovës, ka thënë se në këtë drejtim, ekzekutivi i vendit është duke bërë gjithçka për të gjetur të gjithë të zhdukurit.

Sipas Tahirit, Serbia vazhdon t’i fshehë krimet në arkivat e ish-ushtrisë jugosllave dhe mekanizmave të tjerë të përfshirë në luftën në Kosovë.

Edita Tahiri

Edita Tahiri

“Bisedimet për këtë çështje kanë lënë të kuptohet se pala serbe vazhdon me qasje politizuese, përkundër faktit që zgjidhja e çështjes së të pagjeturve është obligim ndërkombëtar që garantohet me konventat ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka sqaruar se çështja e të pagjeturve është diskutuar në raundin e katërt të bisedimeve në Bruksel, të mbajtur më 18 maj 2011, dhe me këtë rast delegacioni i Kosovës ka paraqitur platformën e Qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës ka arritur që çështjen e të pagjeturve ta ngritë në agjendën evropiane.

“Vlerësojmë se janë arritur disa rezultate konkrete. Si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi pasur për qëllim që duke futur në agjendën e dialogut teknik këtë çështje, të bëjmë që kjo (çështje) të ngrihet në nivel të trajtimit të Bashkimit Evropian”.

“Si dhe Bashkimi Evropian të pranojë të marrë rol udhëheqës dhe garantues për zgjidhjen e plotë të këtij problemi. Këtë e kemi arritur plotësisht, sepse kjo çështje është bërë pjesë e agjendës së BE-së”, ka sqaruar Tahiri.

Me iniciativën e një grupi të deputetëve, kryenegociatorja Edita Tahiri është thirrur të enjten në interpelancë.

Iniciuesit e interpelancës kanë kërkuar miratimin e disa rekomandimeve për Qeverinë e Kosovës, si kushtëzimi i vazhdimit të bisedimeve me Serbisë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Një ndër kërkesat e tjera është se “të gjithë mekanizmat, të cilët kanë të bëjnë me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur t’i intensifikojnë punët me qëllim të identifikimit të mundshëm të mbetjeve mortore.

Ndër iniciuesit e interpelancës, është edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kimete Bajraktari, e cila për këtë çështje ka thënë:
Është tejet e rëndësishme që aë vendosim temën e fatit të të zhdukurve në temën prioritare kushtëzuese në raport me Serbinë.

“Pavarësisht tentimeve dhe kërkesave të pandalshme të shqiptarëve të Kosovës, e në rend të parë të familjarëve të të zhdukurve, Serbia asnjëherë nuk ka treguar vullnet politik për të zbardhur fatin e tyre”.

“Është tejet e rëndësishme që aë vendosim temën e fatit të të zhdukurve në temën prioritare kushtëzuese në raport me Serbinë”.


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, pasi ka kritikuar shtetin serb se nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, që vazhdon të jetë plagë tash e 13 vjet, ka thënë se duhet ndryshohet qasja ndaj bisedimeve me Serbinë dhe çështja e të pagjeturve të jetë prioritet.

Në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, më 27 Prill 2012, Kosova numëron 1781 persona të pagjetur

Në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, më 27 Prill 2012, Kosova numëron 1781 persona të pagjetur

“Bisedimet e filluara me Serbinë në kuadër të dialogut të Vjenës, të iniciuar në vitin 2003, dhe të ndërmjetësuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, nuk po japin rezultate”.

“Një nga arsyet e këtij dështimi është fakti se ato kanë karakter humanitar dhe nuk kanë mekanizma të detyrueshëm implementues. Ka ardhur koha që niveli dhe karakteri i këtyre bisedimeve të ndryshojë”
, është shprehur Muja.

Kurse, Rita Hajzeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është edhe nënkryetare e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të Pagjetur, ka deklaruar se kjo çështje duhet të trajtohet shumë seriozisht dhe jo vetëm në bisedimet Kosovës-Serbi.

“Kjo çështje nuk mund të zgjidhet, pa pasur një trysni ndërkombëtare ndaj Beogradit, i cili duhet të tregojë për vatrat e krimit dhe jo të tentojë ta barazojë krimin e shtetit serb ndaj personave të zhdukur pas luftës”.

“Këtë Serbia e ka kërkuar, kjo është pranuar dhe me këtë kusht është hyrë në bisedime me Serbinë. Ndërsa pala kosovare nuk e ka shfrytëzuar këtë rast, nuk e ka paraqitur numrin e më se 2000 personave të zhdukur dhe normalisht që kemi ngecje në këtë çështje”, ka theksuar Hajzeri.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar të gjitha qeveritë e deritashme për moskërkim të personave të pagjetur.

Kurti ka theksuar se të pagjeturit, para se të jenë të pagjetur, mbi të gjitha, janë të pakërkuar.
Të pagjeturit kanë shërbyer vetëm si retorikë për të justifikuar kinse njëfarë angazhimi për një çështje të ndjeshme siç është kjo e të pagjeturve.
“Prej kur Qeveria Thaçi hyri në negociata me Beogradin në mars të vitit të kaluar, të pagjeturit kurrë nuk janë shtruar si çështje për t’u zgjidhur, por vetëm për t’ua dhënë negociatave një farë legjitimiteti dhe domosdoshmërie”.

“Të pagjeturit kanë shërbyer vetëm si retorikë për të justifikuar kinse njëfarë angazhimi për një çështje të ndjeshme siç është kjo e të pagjeturve. Po krejt çka po shohim deri sot janë 8 marrëveshje me Serbinë ku qeveria ka lëshuar pe për shtetasin, sovranitetin, kufijtë, përfaqësimin e jashtëm me fusnotë, regjistrat civil, e librat kadastralë, targa të automjeteve, dokumente të udhëtimit etj”
, ka thënë Kurti.

Sipas deklaratave zyrtare të institucioneve ende nuk dihet fati i 1781 personave, të cilët janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Asociacioni i shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, ka kritikuar në vazhdimësi institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, duke thënë se në këtë drejtim mungon një angazhim i duhur dhe serioz.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG