Ndërlidhjet

SHBA dënon sulmet në Siri


Damask, 10 maj 2012.
Damask, 10 maj 2012.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmet me bomba në Damask, duke i bërë thirrje regjimit sirian të zbatojë planin e paqes.

“Çdo dhunë që rezulton me vrasje dhe lëndime të civilëve është e dënueshme dhe nuk mund të justifikohet”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nullënd.

“Me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të ri të dhunës, ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje regjimit sirian që të zbatojë plotësisht dhe menjëherë planin e Ananit”, ka thënë Nullënd.

Mediat shtetërore në Siri thonë se numri i viktimave nga sulmet e dyfishta me bomba në Damask ka shkuar në 55, ndërsa janë plagosur 370 persona.

Qeveria siriane e ka quajtur sulmin "terrorist" dhe për këtë ka fajësuar opozitën.

Por, një zëdhënës i Këshillit opozitar Kombëtar të Sirisë ka fajësuar regjimin e presidentit Bashar al-Asad, se i ka inskenuar shpërthimet për të frikësuar vëzhguesit e OKB-së dhe për të bindur komunitetin ndërkombëtar se gjoja po i lufton “terroristët”.

Plani i të dërguarit ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan, parasheh armëpushimin mes palëve, qasjen e grupeve humanitare dhe tërheqjen e armatimit të rëndë nga qytetet.

OKB-ja ka dërguar disa vëzhgues në këtë vend për të monitoruar armëpushimin.

Protestat antiqeveritare dhe dhuna kanë përfshirë Sirinë qysh në mars të vitit të kaluar. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 9,000 persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në më shumë se një vit trazira.
XS
SM
MD
LG