Ndërlidhjet

The Boston Globe: Efekti Holland


Fransua Holland

Fransua Holland

“The Boston Globe”


Shkruan: Nikollas Bërns, ish-nënsekretar amerikan i Shtetit.



Fitorja dramatike e Fransua Hollandit në zgjedhjet presidenciale në Francë mund të bëhet njëra nga pikat më të rëndësishme të kthesës këtë vit, edhe për Evropën, edhe për Shtetet e Bashkuara.

Franca ka peshë në botë, sidomos për disa nga sfidat më të rëndësishme ndërkombëtare – kriza në Eurozonë, Afganistani, Irani dhe Siria.

Ajo është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, fuqi bërthamore, poseduese e njërës prej ushtrive më të afta në botë dhe një forcë me ndikim në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.

Si socialisti i dytë që merr kryesimin e Francës që nga Lufta e Dytë Botërore, Holland ka arritur një fitore të shkëlqyer elektorale, që nuk mund të përbëjë një tërmet, por që ka shtyrë udhëheqësit botërorë të mendojnë se si mund ta drejtojë politikën franceze në çështjet kryesore.

Ndikimi do të jetë më i thellë në Evropë, ku Franca dhe Gjermania kanë bashkëdrejtuar punët e kontinentit për dekada.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe paraardhësi i Hollandit, Nikolas Sarkozi, kanë bërë një dyshe të efektshme, e cila ka detyruar Bashkimin Evropian të pranojë regjimin e hidhur të kursimit, kur drama e borxheve në Greqi ka evoluar në krizë të plotë ekonomike në Evropë.

Gjatë fushatës, premtimi kryesor i Hollandit ishte të ndryshojë politikën franceze dhe evropiane dhe të promovojë më shumë stimuj qeveritarë.

Njëra nga arsyet përse Bashkimi Evropian ka kaluar mezi nëpër krizë, është se Merkel dhe Sarkozi kanë qëndruar së bashku për të hedhur poshtë kritikat.

Nëse Holland tani sfidon udhëheqjen gjermane në këtë çështje thelbësore, do të mund të hapte një çarje ideologjike në zemër të BE-së, në kohën kur ajo kërkon të dalë nga recesioni.

Fitorja e Hollandit është gjithashtu e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Sarkozi ka qenë udhëheqësi më pro-amerikan i Francës në 70 vjet. Ai e ka transformuar Francën nga një aleat modest e nganjëherë edhe i mundimshëm i SHBA-së në njërin nga miqtë e saj më të fortë dhe më të besueshëm në botë.

Uashingtoni tani pyetet nëse Holland do të ndryshojë politikën franceze në tre prioritetet e rëndësishme të Amerikës: Iranin, Afganistanin dhe NATO-n.

Ironikisht, Franca, nën Sarkozinë, ka qenë kundërshtari më i rreptë i programit bërthamor të Iranit – më këmbëngulës edhe se Barak Obama apo Xhorxh Bushi.

Tani, kur bisedimet me Iranin janë në zhvillim, Shtetet e Bashkuara mbështetën në Francën për të ndihmuar në sanksionet kundër Teheranit që do ta bënin atë të hiqte dorë nga ambiciet bërthamore.

Nëse Holland ndjek një kurs më pak agresiv, ai do të mund t’i hapte derën Rusisë dhe Kinës për të dobësuar presionin e Perëndimit dhe eventualisht për të lënë Iranin jashtë grepit.

Afganistani është një tjetër çështje kryesore, ku qeveria e Hollandit mund të bëjë ndryshime kritike. Holland ka premtuar gjatë fushatës se do të kthejë trupat franceze në vend në fund të këtij viti. Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, sidoqoftë, kanë vendosur që të gjitha forcat të qëndrojnë deri më 2014.

Nëse Franca turret para aleatëve të NATO-s, një gjë e tillë do të shkaktonte krizë në Samitin e Aleancës në Çikago.

Pushteti i Hollandit ka ndezur debat të madh për efektin e masave shtrënguese. Së bashku me kaosin politik në Greqi, që pason zgjedhjet e së dielës, stabiliteti evropian është përsëri në pyetje.

Hollandi mund të bëhet ai për të cilin ka nevojë Evropa – një zë i ri me ide të freskëta për nxitjen e ringjalljes ekonomike.

Cilido që të jetë ndikimi i tij, amerikanët nuk duhet të jenë spektatorë pa interes.

Çfarëdo që ndodh në Evropë – partnerin më të madh tregtar të SHBA-së dhe shtëpinë e aleancës më të rëndësishme të saj – ka vërtet rëndësi për Shtetet e Bashkuara. Kjo është njëra nga arsyet përse fitorja e Fransua Hollandit është e rëndësishme për këtë anë të Atlantikut.(v.t.)
XS
SM
MD
LG