Ndërlidhjet

PDK-ja dështon ta kthejë në rivotim mocionin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e opozitës lëshuan seancën plenare të së premtes, duke pamundësuar kështu vazhdimin e punimeve të Kuvendit, për shkak të mungesës së kuorumit.

Opozita lëshoi sallën pas propozimit të partisë më të madhe në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës, që Kuvendi edhe njëherë ta rishqyrtojë mocionin e miratuar një ditë më parë, për kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës.

Në arsyetimin e dhënë nga PDK-ja, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci, tha se Kuvendi kishte votuar dy dokumente dhe jo një mocion të vetëm.

Andaj, sipas Grabovcit, nevojitej një harmonizim i tekstit dhe miratim i një dokumenti të vetëm.

I propozojmë seancës që të bëjë harmonizimin e këtyre dy dokumenteve që i kemi, pra dy palë rekomandimeve, që njëra ka dalë në emër të komisionit, e tjera në emër të deputetes Hikmete Bajraktari. I kisha lutur të gjithë deputetët që ta bëjmë harmonizimin dhe të dalim me një dokument unik”, iu drejtua deputetëve Grabovci.

Mirëpo, për opozitën, votimi për mocionin në seancën e së enjtes ka qenë konform procedurave dhe shumë i qartë.

Ata thanë se dy rekomandimet burojnë nga dy diskutime të ndryshme parlamentare, dhe si të tilla, ato nuk mund të harmonizohen në një dokument, siç kërkonte PDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se propozimi i PDK-së ishte përpjekje për shkeljen e procedurave, pasi që mocioni është votuar dhe nuk mund të ketë rivotim për të.

Rekomandimet kanë qenë këtu, në Kuvend, për dy javë dhe i kanë parë e lexuar të gjithë. Kështu që nuk është problem i deputetëve të LDK-së nëse të tjerët s’e kanë marrë vesh se çka po votojnë”.

Ne nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e shkeljes së procedurave nga institucioni më i lartë i vendit, andaj ne nuk do të qëndrojmë në sallë dhe nuk do ta përkrahim këtë mocion”, tha Beqiri.

Kundër kthimit të mocionit në votim ishin edhe dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se mocioni i ka katër fjali dhe aty nuk ka asgjë të paqartë.

Unë nuk dua të besoj që në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka asi deputetë idiotë, të cilët kur i lexojnë katër pika nuk e marrin vesh se çfarë kanë lexuar. Pra, kanë kaluar edhe në Komision një pjesë e tyre dhe ato që janë diskutuar dje në interpelancë, në fakt nëse dëgjohen diskutimet e shumicës së deputetëve janë pikërisht në përputhje me pikat, të cilat i kemi votuar në fund”.

Asnjëherë nuk ka qenë ideja që këto dy dokumente të harmonizohen, meqenëse janë dy dokumente që dalin nga dy pjesë të ndryshme të diskutimeve në Kuvend”, u shpreh Ymeri.

Më pas, PDK-ja kërkoi votimin për futjen në rend të ditës të harmonizimit të dy rekomandimeve dhe rivotimit të mocionit.

Por, me atë rast opozita lëshoi sallën.

Largimi i tyre solli si pasojë mungesën e kuorumit, kështu që kryesuesi i seancës, deputeti Xhavit Haliti, shpalli pauzë.

Megjithatë, as pas pauzës, nuk u arrit marrëveshja, kështu që në mungesë të kuorumit, Kuvendi shtyu seancën për javën tjetër.

Ndryshe, në seancën e së enjtes, pas interpelancës së kryenegociatores Edita Tahiri në lidhje me bisedimet me Serbinë, Kuvendi kishte votuar mocionin, i cili në një pikë kërkonte kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Beogradin me zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës.

Mocioni ishte përkrahur fillimisht edhe nga PDK-ja, por pas seancës, deputetët e kësaj partie kishin thënë se nuk e kishin të qartë se për çfarë kanë votuar, andaj edhe kishin kërkuar rivotimin.
XS
SM
MD
LG