Ndërlidhjet


Dërgesat e emigrantëve të cilat konsiderohen si mjet mjaft i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, kanë shënuar rënie të theksuar për shkak të krizës ekonomike në eurozonë, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Kjo rënie e dërgesave të emigrantëve, sipas tyre, po shkakton ulje të Bruto Produktit Vendor.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime dhe Hulumtime të avancuara GAP, Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe pse Kosova ka marrëdhënie të pakta tregtare më shtetet evropiane, kriza ekonomike në eurozonë ka pasur ndikim e saj te dërgesat e emigrantëve.

Tash eurozona pritet që të ketë krizën më të madhe financiare që nga fillimi i krizës financiare, për shkak të asaj që po ndodh qoftë në Greqi, Itali, Spanjë, Francë apo Portugali”.

Kjo do ta prek edhe Kosovën, për shkak se ne përdorim euron, dhe krejt këto do të ndikojnë edhe në Kosovë. Efekte do të ketë, pasi që kosovarët që punojnë në këto vende do të preken, dhe rrjedhimisht do të dërgojnë më pak para”, thotë Demi.

Në rrezik nga kriza ekonomike, thekson Demi, është edhe sistemi bankar.

Ai thotë se nëse shihen të dhënat e sistemit bankar në Kosovë, ekziston një rrezikshmëri që sistemi bankar të preket nga kriza.

Për shumë vite janë dhënë të dhëna se ekziston një numër i njëjtë e kredimarrësve, kurse portofola e kredisë është rritë, çka do të thotë se të njëjtit njerëz po marrin shumë më shumë kredi, dhe të njëjtit njerëz po ngarkohen shumë më shumë me borxhe, çka mund të vijë deri te një krizë e sistemit bankar. Nëse ata njerëz që marrin më shumë se dy apo tri kredi, nuk mund t’i kthejnë, do të preket sistemi bankar”, shprehet Demi.

Sidoqoftë, drejtues të Bankës Qendrorë të Kosovës kanë theksuar ditë më parë se sistemi financiar në Kosovë mbetet i sigurt përballë krizës financiare në Evropë.

Sipas të dhënave zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, me përjashtim të vitit 2009, kur remitencat shënuan një rënie simbolike, në vitet e tjera, dërgesat në Kosovë vazhdimisht kanë shënuar rritje, dhe ato silleshin mbi 500 milionë euro në vit.

Pavarësisht këtyre deklarimeve të drejtuesve të Bankës Qendrore të Kosovës, edhe
profesori i ekonominë, Osman Ejupi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza ekonomike në eurozonë ka bërë që dërgesat e emigrantëve të shënojnë rënie.

Një ndikim tjetër që kriza ekonomike në eurozonë ka pasur në Kosovë, sipas profesor Ejupit është edhe tek investimet e huaja, të cilat, siç thekson ai, kanë shënuar rënie të ndjeshme.

Këta faktorë do të ndikojnë në mirëqenien e përgjithshme financiare në Kosovë, pasi që një pjesë e madhe e qytetarëve varen shumë nga të remitencat. Po ashtu, zhvillimi i ndërmarrjeve te vogla dhe të mesme në Kosovë është shumë i varur nga investimet që vijnë nga jashtë, dhe rënia e tyre do të ndikojë në rënien e mirëqenies e përgjithshme financiare në Kosovë”, bën të ditur Ejupi.

Ndryshe, sipas statistikave zyrtare, konsiderohet se afër 25 për qind e popullatës, ose mbi 500 mijë emigrantë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Ndërkaq, sipas një sondazhi të Institutit të Hulumtimeve Gallup, të bërë kohë më parë, pas anketimeve të zhvilluara në 135 vende të botës, tregon se Kosova radhitet lart në listën e vendeve që marrin remitenca, me 23 për qind apo me më së shumti në rajon.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG