Ndërlidhjet

SHBA: "Pëlqej" në Facebook, s'mbrohet me Kushtetutë

  • Heather Maher

Facebook

Facebook

Nëpër kultura të ndryshme, ngritja lart e gishtit të madh, apo ulja e të njëjtit, prej kohësh është kuptuar si miratim, ose refuzim i heshtur.

Është një gjest, të cilit menjëherë i qartësohet kuptimi, dhe kjo është arsyeja se pse ikona e Facebook ua lejon përdoruesve që kur shënojnë postimet që u pëlqejnë, të përdorin shenjën “bravo”, apo gishtit të madh lart.

Në thelb, me një klikim, përdoruesit e Facebook-ut mund të nxjerrin në pah interesimin e tyre për një foto, një koment, dhe madje edhe për person tjetër.

Por, ky klikim i thjeshtë është bërë disi i rrezikshëm, pasi një gjykatës në shtetin e Virxhinias vendosi që klikimi i butonit “Pëlqej” në Facebook nuk kualifikohet si liri e të shprehurit, sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA-së për lirinë e shprehjes.

Dijetarët ligjorë i kanë dhënë këtij vendimi gjestin e uljes së gishtit të madh, apo thjesht, shprehin dyshimin për të.

Aden Fajn, avokati i lartë i Projektit për Fjalime, Privatësi dhe Teknologji të Unionit të Lirive Civile Amerikane (ACLU) shpjegon:

"Çështja kryesore këtu është se nëse duke e shtypur një buton për të thënë se ju pëlqen diçka në Facebook, ju keni shprehur një opinion apo një mendim. Dhe unë mendoj se ju qartazi e keni bërë këtë. Fakti që ju e keni shtypur vetëm butonin ‘Pëlqej’ në vend se të shtypni në tastierën tuaj fjalët: ‘Më pëlqen kandidati X ‘, nuk përbën ndonjë ndryshim. Ju po i thoni botës: ‘Mua më pëlqen ky kandidat i veçantë’, dhe kjo është e mbrojtur në mënyrë të qartë nga Amendamenti i Parë”, thotë Fajn.

Vendimi erdhi nga një padi e ngritur nga punonjësit e zyrës së një sherifi të cilët thanë se u larguan nga puna e tyre pasi kishin mbështetur kundërshtarin politik të shefit të tyre gjatë zgjedhjeve.

Në qendër të rastit ishte një nga punëtorët që kishte klikuar "pëlqej" në faqen e kundërshtarit në Facebook .

Sherif u rizgjodh dhe i shkarkoi punëtorët për atë, që ai tha se ishte performanca e pakënaqshme e punës dhe prishja e "harmonisë dhe efikasitetit të zyrës."

Në vendimin e tij, gjykatësi shkruante se njohuritë e sherifit për postimin mund të bëhen relevante, vetëm në qoftë se gjykata konstaton se veprimtaria si kjo e “pëlqimit” në një faqe në Facebook mbrohet me Kushtetutë.

Përfundim i gjykatës ishte se shfaqja e pëlqimit përmes shtypjes së një butoni në Facebook nuk është e mjaftueshme për të merituar mbrojtje kushtetuese.

Me këtë vendim, thotë Xhef Herms, i cili drejton projektin Ligji për Mediat Digjitale në Qendrën Berkman për Internet dhe Shoqëri në Universitetin e Harvardit, gjyqtari po thoshte se në qoftë se ju përdorni fjalët tuaja ju dërgoni një mesazh të mbrojtur me Kushtetutë, por në qoftë se ju klikoni "Pëlqej" për të thënë të njëjtën gjë, ju po e miratoni fjalimin e dikujt tjetër, që do të thotë se nuk ka mbrojtje kushtetuese.

"Për mendimin tim, kjo nuk është një analizë e duhur. Çfarë duket se ka ndodhur këtu është se gjyqtari ka hedhur poshtë shprehjen e lirë për shkak se kjo ishte më thjeshtë të bëhej. Megjithatë, gjykatat e tjera - duke përfshirë edhe Gjykatën Supreme të SHBA-së kanë pranuar se edhe aktet shumë të thjeshta mund të jenë shumë ekspresive. Kjo përfshin gjëra të tilla si nënshkrimi i një peticioni, i cili është vetëm nënshkrim i emrit tuaj, pra nuk zgjidhni asnjë fjalë. Ju po e miratoni gjuhën e dikujt tjetër, por ju nënshkruani peticionin, dhe kjo shpreh mbështetjen tuaj për kauzën e peticionit”, shprehet Herms.

Ka pak precedentë ligjorë në lidhje me fjalimin e mbrojtur online, por Gjykata e Lartë ka nxjerrë të paktën një vendim të madh në këtë fushë.

Në diskutim ka qenë Akti i Padenjë i Komunikimeve Federale, i cili kërkon që të censurohet përmbajtja e caktuar në internet, si uebsajtet seksualisht eksplicite.

Të nëntë gjykatësit ranë dakord se kjo ishte një shkelje e Amendamentit të Parë.

Ky vendim, sipas Fajn, hap rrugën që interneti të rritet në një univers të pabesueshëm, ndryshe nga që është sot.

"Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka mbrojtur qëndrimin se fjalimi në internet është i mbrojtur njësoj si të gjitha format e tjera tradicionale të shprehjes. Ky ishte një vendim historik, dhe me të vërtetë hapi rrugën për të gjitha këto teknologji të reja dhe mënyrat e reja të komunikimit, që ne i përdorim çdo ditë," tha Fajn.

Fajn pranon se hartuesit e Kushtetutës në fund të vitit 1700 nuk e dinin se njerëzit një ditë do të komunikonin në një botë virtuale duke klikuar një buton.

"Kjo nuk është ajo që Amendamenti i Parë ka mbrojtur tradicionalisht, nuk ka të bëjë kjo shumë me jurisprudencën," thotë ai.

"Kjo nuk do të thotë se duke përdorur butonin 'pëlqej' nuk mbrohesh me Amendamentin e Parë. Unë mendoj se ky është një shembull ku gjykatësi për fat të keq nuk ka njohuri me teknologjitë e reja".

Vëzhguesit ligjorë thonë se vendimi paraqet një rast të shkëlqyeshëm për apel.(a.i.)
XS
SM
MD
LG