Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Protestë kundër “rasteve të montuara”


“Stop dhunës”, “Stop rasteve të montuara”, “Shqiptarët nuk janë terroristë”, me këto parulla protestuan disa mijëra shqiptarë në Shkup, të organizuar përmes rrjeteve sociale.

Protestuesit, nga Lagja e Çairit, fillimisht u ndaluan para Pallatit të Gjykatave, prej ku është bërë thirrje për dhënien fund të “proceseve të montuara gjyqësore”.

Duam drejtësi”, “Maqedonasit, nëse duan të jetojnë me shqiptarët, duhet t’i respektojnë kërkesat tona” - thanë protestuesit.

Më pas protestuesit u ndalën para ndërtesës së Qeverisë dhe me gurë thyen dy xhama të saj. Por, situata shumë shpejt u qetësua.

Organizatorët e protestës së të premtes “Stop rasteve të montuara politike”, dërguan njoftim, në të cilin thuhet se protestat kanë një qëllim - për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, por edhe për opinionin ndërkombëtar, që të bëhet me dije thelbi i rasteve të fundit.

“Me sinqeritet e ndajmë dhimbjen për maqedonasit e rinj të vrarë dhe kërkojmë që vrasësit e tyre të shpallen para drejtësisë. Protestojmë për shkak të ofendimeve që bëri Qeveria për popullin shqiptar, duke ofenduar ndjenjat fetare, duke shkelur në dinjitetin e motrave tona të arrestuara padrejtësisht”.

“Reagojmë ashpër në përpjekjet e Qeverisë të krijojë proces të montuar politik. Jemi të tmerruar nga subjekti politik shqiptar, i cili përmes zëvendësministrit të Punëve të Brendshme i legjitimon ofendimet mbi popullin e tij. Shpresojmë se drejtësia do të dalë në pah”,
thuhet në njoftimin e organizatorëve të protestës, të cilët u identifikuan si “Populli”

Kjo letër iu dërgua lidershipit në vend, si dhe përfaqësive të jashtme.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se policia nuk do të lejojë prishjen e rendit publik, edhe pse protesta e së premtes nuk ishte e paralajmëruar dhe për dikasterin e policisë mbeten të panjohur organizatorët.

“Neve nuk na është paraqitur askush si organizator, megjithatë forcat e shtuara policore mbeten të përforcuara në të gjitha rrugët e qytetit, si masë sigurie”, theksoi zëdhënësi i dikasterit të Policisë, Ivo Kotevski.

Ndërkaq, paraprakisht faktorët politikë në vend, si dhe faktori ndërkombëtar apeluan që protestat të zhvillohen në qetësi dhe të mos prishet rendi publik.

BDI-ja, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, bëri thirrje për një protestë të qetë, duke shmangur incidentet dhe shkeljen e rendit, ndërsa lideri i opozitës shqiptare, Menduh Thaçi, të enjten mbrëma u bëri thirrje shqiptarëve që të mos dalin në protesta fare, meqë nuk dihen organizatorët dhe qëllimi i protestave.

Apel për protesta të qeta dërguan edhe Ambasada Amerikane në Shkup dhe Misioni i Bashkimit Evropian, duke bërë thirrje për protestë të qetë dhe demokratike, duke shmangur incidentet dhe duke i lejuar institucionet që të hetojnë dhe të zbardhin vrasjen e pesëfishtë në Smilkovcë.

Ndërkaq, thirrje për protesta janë bërë edhe nga rrjete sociale maqedonase, “Protesta para Qeverisë”, ku thirren qytetarët për të protestuar të shtunën. Sipas mesazheve të bëra, ky organizim do të jetë në formën e kundër-protestës të së premtes, organizuar nga qytetarët shqiptarë.
XS
SM
MD
LG