Ndërlidhjet

logo-print

Halil Matoshi: Kushtëzimi - gjetje jo e shkathtë


Halil Matoshi, publicist.

Halil Matoshi, publicist.

Mendoj se nuk është gjetja më e shkathtë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që dialogu Prishtinë - Beograd të kushtëzohet me të pagjeturit. Ky dialog, sipas mendimit tim, duhet të kushtëzohet me tërheqjen e strukturave ilegale, kriminale të Serbisë nga kontrolli mbi veriun e Kosovës, posaçërisht me heqjen e barrikadave dhe me mundësimin e qarkullimit të lirë të njerëzve e mallrave, thotë për Radion Evropa e Lirë publicisti Halil Matoshi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Matoshi, Kuvendi i Kosovës ka kërkuar kushtëzimin e bisedimeve Prishtinë - Beograd me çështjen e të pagjeturve. Mendoni se ky proces mund të kushtëzohet, gjykuar nga roli që në të ka pasur deri tash Bashkimi Evropian?

HALIL MATOSHI
Unë mendoj se nuk është gjetja më e shkathtë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që dialogu Prishtinë - Beograd të kushtëzohet me të pagjeturit. Por ky dialog, sipas mendimit tim, duhet të kushtëzohet me tërheqjen e strukturave ilegale, kriminale të Serbisë nga kontrolli mbi veriun e Kosovës, posaçërisht me heqjen e barrikadave dhe me mundësimin e qarkullimit të lirë të njerëzve e mallrave.

Prandaj, mendoj se në këtë rast vetëm është gjetur një solucion sa për të blerë kohë dhe sa për të bërë zhurmë në Kuvend, por jo edhe solucion ideal.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë tashmë janë mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, për të cilat Prishtina kishte dhënë bekimin. Por, në veri u mbajtën edhe zgjedhjet lokale të serbëve të atjeshëm, një hap ky karshi të cilit Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar heshtën në kuptimin e veprimit. Mendoni se ka pasur hapësirë për të ndërmarrë
diçka?

HALIL MATOSHI
Ç’është e vërteta, Qeveria e Kosovës ka rënë ndesh me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, të iniciuar në mars nga vetë përfaqësuesit e partisë në pushtet, domethënë Partisë Demokratike të Kosvës, e cila rezolutë e Kuvendit bënte thirrje që të ndalohen dhe të mos lejohen kurrfarë lloj zgjedhjesh të Republikës së Serbisë në Kosovë.

Mirëpo, prapë u gjet një kinse marrëveshje, të cilën objektivisht Serbia e ka nënshkruar me OSBE-në, por jo me palën kosovare, sepse pala kosovare nuk është nënshkruese e kësaj marrëveshjeje për arsyen e thjeshtë se nuk njihet nga Republika e Serbisë si palë.

Këto zgjedhje, presidenciale dhe parlamentare, u lejuan, ndërkaq mbajtja e zgjedhjeve lokale në dy-tri fshatra të veriut të Kosovës duket se megjithatë nuk do të bëjnë bujë të madhe, nuk do të legjitimojnë kurrfarë pushteti lokal atje, madje kundër këtyre zgjedhjeve u deklarua edhe vetë Beogradi zyrtar, përkatësisht ministri i Qeverisë së Republikës së Serbisë , Oliver Ivanoviq, por edhe zyrtarë të tjerë të Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te veriu, autoritetet ndërkombëtare kanë filluar të flasin për një plan të ri për veriun, i cili do të mundësonte integrimin e asaj pjese të vendit. Nisur nga të gjitha planet e deritashme që janë hartuar, shumëkush ka shprehur skepticizëm ndaj kësaj nisme. Ju si mendoni?

HALIL MATOSHI
Bashkimi Evropian, po edhe diplomatë të tjerë të fuqive perëndimore, po bëjnë presion te Prishtina që të nisë një dialog me serbët kosovarë, përkatësisht me përfaqësuesit e tyre, të cilët Prishtina i quan ilegalë, ndërsa vetë serbët e atjeshëm në veri i quajnë si përfaqësues legalë.

Dhe, Prishtina, në këtë kontekst, nuk ka pasur asnjëherë ofertë serioze, mirë të menduar dhe të përpunuar që ta shtyjë përpara ta bëjë të kuptueshme dhe të qartë se çfarë përmban në të vërtetë Plani Ahtisari dhe cila është oferta që jep ky plan.

Do të thotë, Prishtina i ka shkëputur kontaktet me qytetarët e vet prej pasluftës e këtej, në veri, dhe tash është shumë vështirë që pa ndërhyrje ndërkombëtare, përkatësisht pa disiplinimin e Beogradit zyrtar, për Prishtinën do të jetë shumë e vështirë që të ndërhyjë në veri dhe ta vendosë rendin, ligjin, kushtetutshmërinë dhe ta rikthejë integritetin territorial.

Pra, në këtë rast, perëndimi e sheh të domosdoshme që të marrë pjesë si palë edhe vetë Beogradi zyrtar dhe në këtë kontekst unë mendoj se Prishtina duhet të ndalet të bëjë një strategji shumë dorëlirë, në kuptimin që t’u ofrojë shumë mundësi qytetarëve serbë kosovarë atje, me kusht që ata të heqin dorë nga pretendimet territoriale - do të thotë të mos bëjnë argatin e Republikës së Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Lidershipi aktual thotë se ka plane për gjithçka, madje edhe për integrimin në BE, mirëpo raportet e Progresit të Komisionit Evropian çdo vit vijnë më të zeza e më të zeza, ndërkaq shkalla e papunësisë sipas shumë të dhënave në Kosovë po shënon ngritje frapante - diku deri në 70 për qind; krimi i organizuar dhe korrupsioni po ashtu po ngrihen në mënyrë drastike etj. Prandaj, kjo Qeveri nuk ka plan për të qeverisur as në Prishtinë, e lëre më në veriun e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë Kosova shënoi ditën e Evropës me shumë aktivitete, ndonëse qytetarët e saj vazhdojnë të mbeten të vetmit, të cilët duhet kërkuar leje për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Cila mendoni se është adresa e saktë ku duhet kërkuar llogaridhënie në mungesë të përparimeve?

HALIL MATOSHI
Unë mendoj se shënimi i Ditës së Evropës nuk është bërë me ndonjë farë aktiviteti - ato janë aktivitete të ndejës, do të thotë të bjerrjes së kohës kot derisa gjithkund në vendet e Bashkimit Evropian ajo është ditë pune, kurse në Kosovë praktikisht njerëzit pushojnë.

Shumica edhe ashtu nuk kanë çfarë punojnë, mirëpo adresimi i fajit pse Kosova është e fundit në marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave është në Prishtinë, pra në Qeverinë e Kosovës, sepse nuk ka treguar gatishmëri për të plotësuar standarde vërtet demokratike, t’i përqafojë vërtet vlerat evropiane.

Qasja e Prishtinës zyrtare ndaj integrimeve është vetëm fjalë goje, por nuk ka asgjë konkrete në planet dhe në strategjitë e saj.

Duhet ta dini një fakt, se prej marrjes së udhërrëfyesit e deri në heqjen e vizave do të thotë në liberalizim, fqinjëve u ka marrë kohë dy-pesë vjet.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG