Ndërlidhjet

OKB: Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën


Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nesër diskuton për zhvillimet e fundit tremujore në Kosovë, ndërsa material bazë do të jetë raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun.

Në fillim të raportit të tij për periudhën 16 janar – 15 prill të këtij viti, Ban Ki-mun, vlerëson se “pas konkluzioneve të suksesshme të diskutimeve për çështjet kryesore në dialog, Beogradi dhe Prishtina, i kanë avancuar planet e tyre evropiane”.

Në këtë aspekt përmendet se Bashkimi Evropian i ka dhënë Serbisë statusin e kandidatit, dhe se më 27 mars, komisionari për zgjerim formalisht e ka lansuar studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim – Asocim ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

“Kjo shënon zhvillimin më pozitiv në periudhën raportuese, që ka dalur nga progresi konkret në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thotë raporti.

Por, këto zhvillime kanë rënë nën hijen e “tensioneve në rritje në terren gjatë pjesës së fundit të periudhës raportuese”, theksohet në raportin e Ban Ki-munit, duke shpjeguar se kjo i atribuohej pjesërisht “përgatitjeve për zgjedhjet serbe më 6 maj dhe kundërthëniet shoqëruese për votimin në Kosovë”.

Mëtutje, në raportin e gjatë të Ban Ki-munit, theksohen dallimet ekzistuese “të pikëpamjeve ndërmjet palëve dhe ndërmjet komunitetit serb në të dy anët e lumit Ibër”.

Derisa “serbët e Kosovës, që marrin pjesë në institucionet e Kosovës e kanë hedhur poshtë nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, shumë të tjerë kanë kërkuar që ato të mbahen në harmoni të plotë me ligjin e Serbisë”, thuhet në raport, i cili është publikuar në faqen në Internet të OKB-së.

Mëtutje Ban Ki-mun, përkujton se përfaqësuesi i tij special “kishte shkëmbyer korrespondencë me qeverinë e Serbisë, që kishte rezultuar me marrëveshje për të mos organizuar zgjedhje lokale në Kosovë në maj, por për ta rishqyrtuar këtë çështje në një datë të ardhshme”.
XS
SM
MD
LG