Ndërlidhjet

NYT: A mund të jenë islamistët liberalë?


Ilustrim

Ilustrim

“ New York Times”


Për vite të tëra, diskutimet e politikës së jashtme janë fokusuar në çështjen nëse Islami është në përputhje me demokracinë. Në Tunizi dhe Egjipt, islamistët, të cilët për kohë të gjatë konsideroheshin kundërshtarë të sistemit demokratik, tani e promovojnë atë dhe marrin pjesë në të. Madje, edhe salafisët ultra-ortodoksë kanë deputetë në Parlamentin egjiptian.

Për të shqetësuarit rreth ekstremizmit në Lindjen e Mesme, ky është lajm i mirë. Ishte shtypja e islamistëve nga tiranët laikë ajo që ushqente ekstremizmin. Islamistët mund të bëhen më të moderuar kur ata nuk janë të shtypur dhe më pragmatikë kur përballen me përgjegjësitë e qeverisjes.

Por, megjithatë, ka një tjetër arsye për shqetësim: Çfarë nëse partitë e zgjedhura islamiste miratojnë ligje që frenojnë liritë individuale, si ndalimi i alkoolit? Çka nëse demokracia nuk i shërben lirisë?

Kjo pyetje shtrohet rrallë në Perëndim, ku demokracia shihet shpesh si sinonim i liberalizmit. Megjithatë, ashtu siç ka paralajmëruar edhe Fared Zakaria në librin e tij “E ardhmja e lirisë”, ekzistojnë edhe demokraci jo të lira, ku fuqia e shumicës nuk kontrollohet nga liberalizmi kushtetues dhe të drejtat dhe liritë e qytetarëve nuk janë të siguruara.

Ky është rreziku për vendet e pas Pranverës Arabe, e madje edhe për Turqinë post-Kemaliste. Andaj, debati i vërtetë është nëse Islami është në përputhje me liberalizmin.

Problemi kryesor i grindjes është nëse urdhrat islamikë janë të kategorive ligjore apo morale. Kur myslimanët thonë se Islami urdhëron faljet ditore ose ndalon alkoolin, a flasin për detyrimet publike që do të zbatohen nga shteti apo për ato personale që do të gjykohen nga Zoti?

Për ata që i besojnë së kaluarës, Arabia Saudite mund të duket si shtet ideal për këtë. Politika e saj fetare siguron që çdo saudit të ndjekë rregullat që kërkon Islami: gratë janë të detyruara të mbulohen, burrat janë të obliguar të vizitojnë xhamitë dhe çdonjëri është i ndaluar nga gjithçka që konsiderohet mëkat.

Megjithatë, anëtarët e elitës saudite janë, gjithashtu, të njohur për udhëtimet jashtë vendit, ku vizitojnë klubet e natës për të kryer mëkatet që nuk mund t’i bëjnë në vendin e tyre. Dhe, përderisa kjo është e drejta e tyre civile, ajo ngre pyetjen nëse devotshmëria intensive e Arabisë Saudite është e shtirë.

Ndryshe nga kjo, në vend se të imponojë praktika islamike, Republika ultra-laike e Turqisë i ka dekurajuar me dekada ato, duke shkuar aq larg sa të dënojë shaminë në kokë. Por, megjithatë, shoqëria turke ka mbetur vendosmërisht fetare, falë familjes, traditës dhe udhëheqësve fetarë.

Për këtë arsye, në Turqinë e sotme, ku njeriu ka lirinë të zgjedhë ndërmjet kafiterisë dhe xhamisë, shumë zgjedhin të fundit – bazuar në ndërgjegjen e tyre dhe jo diktimin e shtetit.

Megjithatë, edhe në Turqi, ku demokracia po konsolidohet me shpejtësi nën Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim të kryeministrit Rexhep Taip Erdogan, ka arsye për t’u shqetësuar se demokracia joliberale mund të përhapet.

Turqia ende vuan nga nacionalizmi paranoik, që urren të drejtat e pakicave, nga dora e fortë e gjyqësorit, e projektuar për të mbrojtur shtetin në vend të qytetarëve, dhe nga kultura jotoleruese politike, që çdo kritikë e konsideron sulm dhe idetë provokuese i sheh krim.

Këto pengesa të demokracisë liberale nuk janë të lidhura me fenë. Ato janë trashëgimi e viteve të politikës laike, por autoritare. Partia për Zhvillim dhe Demokraci, e cila është në pushtet tashmë një dekadë dhe ka përfshirë reforma të rëndësishme politike, kohët e fundit ka lënë progresivitetin e saj të venitet.

Dhe, derisa shtrohen pyetje të reja rreth fesë dhe jetës publike, si: a duhet të promovojnë shkollat Islamin, a duhet të kufizohet shitja e alkoolit, a duhet t’iu japë shteti leksione kanaleve private televizive për të mbështetur “vlerat morale” – qeveria duhet të mbrojë liritë civile, përfshirë këtu edhe “lirinë për mëkatin”, dhe të kufizojë ata që kërkojnë të shfrytëzojnë pushtetin shtetëror për të imponuar vlerat e tyre mbi të tjerët.

Nëse Turqia ka sukses në këtë provë liberale dhe harton Kushtetutën e saj në përputhje me rrethanat, ajo mund të bëhet një shembull premtues për qeveritë e udhëhequra nga islamistët në Tunizi, Egjipt dhe gjetkë.

Të gjitha këto shtete kanë nevojë jo vetëm për demokraci procedurale, por edhe për liberalizëm.

Dhe, për gjithë këtë ka një shpjegim të mirë në Islam: Besimi i imponuar shpie në hipokrizi; ata që shpresojnë të ushqejnë fenë e vërtetë, duhet së pari të krijojnë liritë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG