Ndërlidhjet

Kuçi: Bisedimet me serbët e veriut ende s'kanë filluar


Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
Drejtuesit e institucioneve të Kosovës thonë se për ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes në veri të vendit, ende nuk kanë filluar bisedimet me përfaqësuesit e serbeve të asaj ane.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha të hënën se “nuk kanë filluar formalisht bisedat me serbët e veriut”.

“Duhet ta pranoj faktin që ne bëjmë kontakte me qytetarët tanë serbë atje edhe përmes partnerëve tanë qeveritar, që vijnë nga partitë politike serbe. Po ashtu kemi edhe kontakte të tjera përmes faktorëve ndërkombëtarë apo edhe drejtpërdrejt. Por, kontakte dhe dialog formal nuk ka”, tha Kuçi,

Ai tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme që të bisedojë më qytetarët sa herë që është e nevojshme, por, siç tha ai, dialogu do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe implementimin e pakos së Ahtisarit, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Zëvendëskryeministri, njëherësh edhe ministër i drejtësisë, Hajredin Kuçi vlerësoi se “paraprakisht në veri të Kosovës ka nevojë për rend dhe ligj, kontrollim më i madh i kufijve, forcim të zinxhirit komandues, si dhe krijim kushtesh që qytetarët të mendojnë dhe veprojnë lirshëm”. Këto komente Kuçi i tha pas një takimi që ka zhvilluar në Prishtinë, me ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Kristina Marti.
XS
SM
MD
LG