Ndërlidhjet

Gjenerali i lartë amerikan e dënoi kursin anti-islamik

  • RFE /RL

 Martin Dempsi (Foto nga arkivi)

Martin Dempsi (Foto nga arkivi)

Shefi i shtatmadhorisë së përbashkët të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Martin Dempsi, e ka dënuar kursin e trajnimit të Departamentit amerikan të mbrojtjes, në të cilin është ligjëruar para trupave se duhet të përgatiten për një “luftë totale” kundër islamit.

Gjeneral Dempsi ka thënë se ky kurs ishte “krejtësisht i pakëndshëm”.

“Ishte krejtësisht e pakëndshme, ishte kundër vlerave tona, dhe nuk ishte tingëllim akademik. Kjo nuk ishte për atë që ta shtyjmë prapa të menduarit liberal. Thjesht, kjo ishte e pakëndshme, akademikisht e papërgjegjshme”, ka thënë gjenerali Martin Dempsi.

Kursi fakultativ për oficerët e lartë në Kolegjin e Shtabit të Përbashkët në Norfollk në Virgjinia, ka propozuar udhëheqjen e luftës kundër civilëve myslimanë “kurdo që është e domosdoshme” dhe si shembuj i ka shfrytëzuar bombardimin e Drezdenit në Luftën e Dytë Botërore dhe sulmin atomik në Hiroshima dhe Nagasaki.

Raportohet se në këtë kurs është mësuar se sulmet bërthamore kundër qyteteve të shenjta myslimane, Meka dhe Medina, mund të jenë të pranueshme.

Pentagoni e kishte suspenduar këtë kurs, muajin e kaluar, pas ankesës së një studenti dhe e ka filluar një hetim lidhur me atë se si u bë që të përfshihet në programin mësimor të shkollës.

Instruktori përgjegjës, koloneli Mathju Douli, është suspenduar nga procesi mësimor.

Ligjëruesit u kanë thënë studentëve të mendojnë për vetveten si një “lëvizje e rezistencës” anti-islamike.

Zoti Dempsi ka thënë se te të gjitha degët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe te të gjitha strukturat komanduese rajonale, është dërguar një letër, me të cilën urdhërohet rishqyrtimi i materialit stërvitor për përmbajtjen anti-islamike, në harmoni me direktivën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, të datës 21 nëntor.

Ky urdhër u bë pas zbulimit të përbërjes anti-islamike në materialet stërvitore të shfrytëzuara nga agjencia FBI, Departamenti i Drejtësisë dhe ushtria.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes planifikon ta publikojë një raport për hetimet e veta për këtë çështje, deri në fund të këtij muaji.(f. b.)
XS
SM
MD
LG