Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: Sundimi i së drejtës në pikë kritike


Pamje në Shkup

Pamje në Shkup

Në Maqedoni kryesisht neglizhohet respektimi i të drejtave të njeriut, derisa pushteti nuk bën përpjekje as minimale për t’i respektuar dispozitat ligjore që mundësojnë mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe lirinë e shprehjes, theksohet në raportin vjetor të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni.

Sundimi i së drejtës është në një pikë kritike, si pasojë e ndërhyrjes së politikës në sistemin gjyqësor, thekson kryetari i Komitetit të Helsinkit në Maqedoni, Goran Kallajxhiev, sipas të cilit gjithnjë e më shumë në praktikë janë të pranishme të ashtuquajturat raste “të motivuara politikisht”.

“Gjithnjë e më shumë kemi procedura apo procese të motivuara politikisht, ku ndaj disa personave ka tendenca, apo qëllime që të shpallen fajtorë dhe t’u shqiptohen padi apo kualifikime konkrete për vepra të rënda penale, pa mbajtur llogari për mundësinë që gjatë procesit të arrestimit të respektohet mundësia e pafajësisë”, thotë Kallajxhiev.

Ai thekson se Maqedonia mbetet shembull negativ edhe për tejkalimin e kompetencave, veçanërisht nga shërbimet sekrete të shtetit.

“Jo rrallëherë kemi demonstrim të forcës politike nga ana e udhëheqësve të caktuar të institucioneve shtetërore, me ç’rast në formë të vrazhdët shpërfillen të gjitha mekanizmat, mbi të cilët ndërtohet shteti juridik”, thekson Kallajxhiev.

Sipas Kallajxhievit, “shoqëria maqedonase gjithnjë e më shumë politizohet, ndërkohë që institucionet e shtetit janë shndërruar në peng të partisë politike, e cila ka fituar zgjedhjet”

Duke komentuar raportin e Komitetit të Helsinkit, përkatësisht hapat negativë që shënon vendi sa i përket realizimit të reformave në sistemin gjyqësor, Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike, njëherësh ish-kryetar i Komitetit të Helsinkit, vlerëson se “pikë nevralgjike për pavarësinë e gjyqësorit paraqet”, emërimi politik i gjykatësve dhe punësimi në administratën e gjykatave përmes listave partiake.

“Përderisa nuk respektohet kriteri kushtetues dhe ai ligjor për emërimin e gjyqtarëve dhe derisa çelës i vetëm vlerësohet ai partiak që hap dyert në sistemin gjyqësor, gjë që nuk guxon të ndodhë në asnjë mënyrë, ne nuk mund të flasim për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe sundimin e së drejtës sipas standardeve të përcaktuara nga shtetet e zhvilluara demokratike të BE-së”, vlerëson Kadriu.

Në raportin e Komitetit të Helsinkit janë fokusuar edhe shkeljet që bëhen gjatë fjalimeve publike të politikë-bërësve të vendit, si një dëshmi për mungesën e vullnetit, kapacitetit dhe pjekurisë politike për integrim në familjen evropiane.

Komitetit të Helsinkit theks të veçantë u ka kushtuar ndasive etnike në shoqëri, sidomos mes shqiptarëve dhe maqedonasve , ndërhyrjes së politikës në punën e Komisionit për lustrim dhe kushteve të këqija në burgje.

Ndërkohë, si dukuri që gjithnjë e më shumë bëhet e pranishme në Maqedoni, ka fokusuar diskriminimin mbi baza të përkatësisë politike veçanërisht gjatë punësimit në administratën publike.
XS
SM
MD
LG