Ndërlidhjet

Rohan: BE-ja shkurt-pamëse ndaj rajonit


Albert Rohan
Albert Rohan
Ndarja e Kosovës, “autonomia rajonale” për veriun e vendit dhe një dialog special për këtë çështje nuk janë opsione që zgjidhin problemin e veriut, tha të hënën zëvendësndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan.

Në një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, diplomati austriak theksoi se veriu i Kosovës duhet të vihet në kuadër të sistemit ligjor të vendit, ndërsa kundërshtoi nevojën që për këtë çështje të krijohet ndonjë plan tjetër përveç Planit Ahtisari.

“Jo. Jo. Por, veriu është pjesë e Kosovës dhe kjo mbetet e padiskutueshme për mua. Ndarja përjashtohet. Autonomia rajonale, sipas mendimit tim, është një projekt, të cilin nuk do ta mbështesja për dy arsye: Mendoj se është e gabuar të kemi të kemi dy komunitete të ndryshme serbe-njëra që gëzon autonomi rajonale e tjetra jo”.

“Duhet të ketë trajtim të njëjtë për të gjitha komunitetet në Kosovë, e veçanërisht për serbët në të gjithë shtetin. E dyta, autonomia rajonale nuk është e nevojshme, sepse Plani i Ahtisarit paraqet gjithçka dhe më shumë se atë që kanë autonomitë rajonale në Tirolin Jugor apo një Zot e di ku”, tha Rohan, duke shprehur kundërshtimin për vendosjen e një dialogu special ndërmjet Kosovës e Serbisë me temë kryesore veriun e Mitrovicës.

Problemi i veriut ishte përmendur, kohë më parë, në një artikull për mediat ndërkombëtare që kishte shkruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi kishte përmendur edhe politikën aktuale të zgjerimit që ka Bashkimi Evropian karshi Ballkanit Perëndimor duke theksuar se me këtë lloj politike “po minohen përpjekjet për krijimin e shoqërive multi-etnike në këto shtete” dhe se zvarritjet e mëtejmë në procesin e integrimit “do t’u shërbejnë aspiratave të radikalëve për krijimin e shteteve mono-etnike, gjë që sipas skenarit më të keq do të mund të çonte në ndryshimin e kufijve tashmë të njohur ndërkombëtarisht”.

Rohan tha se pengesa kryesore e politikës evropiane karshi Kosovës mbetet mosnjohja nga pesë vendet anëtare të mekanizmit, gjë që, sipas tij, e bën shkurt-pamëse qasjen e BE-së karshi rajonit.

“Mendoj se kjo është shkurt-pamëse, është e gabuar dhe është një pengesë për normalizimin dhe stabilizimin e tërë rajonit”, u shpreh ai.

Ndërkohë, tha Rohan, BE-ja duhet ta shfrytëzojë ndikimin që ka ndaj Beogradit në procesin e tij integrues për të nxitur përmirësimin e raporteve me Kosovën. Me dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë, sipas tij, nuk janë shterur mjetet në këtë politikë.

“Sidoqoftë, do të ketë momente të tjera-momenti i radhës do të jetë hapja e negociatave për anëtarësim që është shumë larg për shkak të kritereve të Kopenhagës dhe trajtimin e Kosovës”.

“Edhe nëse, një ditë, nisin këto negociata, do të ekzistojnë 35 mundësi për t’i ndalur ato, sepse janë 35 kapituj të negociatave dhe secili prej tyre duhet të përmbyllet me konsensus”,
theksoi Rohan.

Zëvendësndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës foli edhe për kërkesën e fundit të legjislativit të vendit që bisedimet me Serbinë të kushtëzohen me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Rohan e quajti të gabuar një kushtëzim të tillë, por theksoi rëndësinë që çështja e të pagjeturve të futet në listën e temave, për të cilat palët duhet të diskutojnë në raundet e ardhshme të bisedimeve aktuale.
XS
SM
MD
LG