Ndërlidhjet

Francë: Holland inaugurohet në postin e presidentit


Fransua Holland
Fransua Holland

Fransua Holland ka premtuar qasje të re në trajtimin e problemeve financiare që shqetësojnë Evropën, derisa ka bërë betimin presidencial.

Ai tani mban epitetin e presidentit të parë socialist të Francës që nga viti 1995, kur Fransua Miterand ka lënë zyrën. Holland ka fituar zgjedhjet në fillim të këtij muaji kundër Nikollas Sarkozisë – njërit nga aleatët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara në dekada.

Në ceremoninë inauguruese në Pallatin Elizë në Paris kanë marrë pjesë rreth 400 mysafirë. Holland është zotuar se do ta drejtojë vendin “me dinjitet dhe thjeshtësi”.

Ky është mandati që kam marrë nga populli francez më 6 maj – të hap një rrugë të re në Evropë, t’i kontribuoj paqes në botë dhe ruajtjes së planetit”, ka thënë Holland, duke bërë thirrje për unitet.

Populli francez duhet të jetojë së bashku, pavarësisht origjinës, rrugës, lokacionit, rreth vlerave të njëjta të Republikës – kjo është detyra më e rëndësishme e imja. Pavarësisht moshës sonë, besimeve tona, kudo që jetojmë, në Francë ose jashtë shtetit, në qytete, në rrethina, në territore rurale – ne jemi Francë”, ka thënë Holland.

Para hyrjes në Pallat, Holland ka takuar Sarkozinë dhe, me gjithë luftën e hidhur në fushatën parazgjedhore, dy burrështetasit kanë shtrënguar duart.

Zgjedhja e Hollandit vjen në kohën kur Eurozona po ballafaqohet me krizë të rëndë financiare, së bashku me frikën për të ardhmen e Greqisë brena bashkimit monetar.

Presidenti i ri francez ka shqetësuar jo pak udhëheqësit e tjerë evropianë me planet e tij për trajtimin e krizës.

Në vend të kursimeve, të mbështetura aq shumë nga Sarkozi, Holland ka bërë thirrje për më shumë stimuj qeveritarë dhe më shumë shpenzime qeveritare.

Ai ka shfaqur shpresën edhe për ndryshimin e paktit fiskal të Bashkimit Evropian, nën të cilin vendet e Eurozonës janë pajtuar për masa të ashpra kursimi, me qëllim frenimin e deficiteve.

Ndonëse planet e tij janë kundërshtuar fuqishëm nga udhëheqësit e Bankës Qendrore Evropiane, Holland ka këmbëngulur edhe sot në to.

Për të tejkaluar krizën që godet atë, Evropa ka nevojë për projekte. Ka nevojë për solidaritet. Ka nevojë për rritje. Do t’iu propozoj partnerëve tanë një paketë të re, që do të kombinojë reduktimin e nevojshëm të borxheve publike me stimulimin e domosdoshëm të ekonomisë”, ka thënë Holland.

Partneriteti i paraardhësit të tij, Nikollas Sarkozi, me kancelaren gjermane, Angela Merkel – i cilësuar nga shumë analistë si Merkozi – është konsideruar tejet i rëndësishëm për udhëheqjen e Eurozonës larg kolapsit, gjatë dy vjetëve të parë të krizës së borxheve.

Analistët janë duke pritur tani të shohin se çfarë lloj partneriteti do të lidhë Holland me kancelaren Merkel.

Si udhëheqësi i ekonomisë së dytë më të madhe në Eurozonë, pas Gjermanisë, mendimet e tij kanë peshë.

Pas inaugurimit, Holland do të udhëtojë drejt Berlinit, ku sonte do të shfaqet në konferencë për media së bashku me Merkelin.

Më 17 maj, ai do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara, për të ndjekur samitet e G8-ës dhe të NATO-s.(v.t.)
XS
SM
MD
LG