Ndërlidhjet

Jahjaga: Kosova të trajtohet si shtetet tjera të rajonit


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga gjatë takimit me ministrin për çështje evropiane të Danimarkës, Nikolai Vamen.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga gjatë takimit me ministrin për çështje evropiane të Danimarkës, Nikolai Vamen.
Republika e Kosovës duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane ka thënë presidetja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Këto komente, Jahjaga i ka bërë gjatë takimit që zhvilloi me ministrin për çështje evropiane të Danimarkës, Nikolai Vamen. Ky i fundit, po qëndron në Prishtinë, ku ka zhvilluar një seri takimesh me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës.

Jahjaga ka thënë me këtë rast se Republika e Kosovës është e përkushtuar në procesin e integrimeve dhe ndihma e Danimarkës është e nevojshme për të mbajtur të hapur perspektivën evropiane për vendin.

Në një komunikate me shkrim të lëshuar nga Presidenca, thuhet se Presidentja Jahjaga i ka thënë zyrtarit danez se institucionet e Kosovës kanë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe se shpresojnë që ta marrin atë para përfundimit të mandatit të Presidencës Daneze në BE, në fund të muajit qershor.

“Është me rëndësi për Kosovën që procesi i liberalizimit të vizave të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo do të përçonte një porosi të mirë për qytetarët se edhe ata kanë një perspektivë të qartë evropiane si të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit”, ka thënë Jahjaga.

Ndërkaq, ministri i çështjeve evropiane të Danimarkës, Nikolai Vamen, ka theksuar se i gjithë rajoni, përfshirë edhe Kosovën, ka perspektivë evropiane dhe se BE-ja do të mbetet e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor.

Ministri Vamen ka potencuar po ashtu se Kosova është në rrugë të mbarë në proceset integruese por theksoi se është e nevojshme që të përshpejtohet procesi i reformave në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.
XS
SM
MD
LG