Ndërlidhjet

Greqia dështon në formimin e koalicionit qeveritar


Udhëheqësi i socialistëve grekë, Evangelos Venizelos.
Udhëheqësi i socialistëve grekë, Evangelos Venizelos.
Udhëheqësi i socialistëve grekë, Evangelos Venizelos, ka bërë të ditur se Greqia do të shkojë në zgjedhje të reja muajin e ardhshëm, pas përpjekjeve të dështuara për formimin e koalicionit qeveritar.

Presidenti Karlos Papulias ka thirrur për nesër në takim të gjithë përfaqësuesit e partive politike, për të krijuar qeverinë e përkohshme deri në zgjedhjet e reja.

Raundi i fundit i bisedimeve për krijimin e qeverisë së re ka përfunduar të martën pa marrëveshje.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 majit, asnjëra palë nuk ka fituar shumicën. Ky epitet u është hequr edhe partive kryesore, PASOK-ut socialist dhe konservatores Demokracia e Re, të cilat kanë qeverisur me Greqinë për gati katër dekada.

Të dyja ato, të cilat kanë përbërë një koalicion jo të qetë deri më 6 maj, janë ithtare të forta të paketave të kreditimit nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, për të luftuar krizën e borxheve.

Majtistja radikale Syriza ka dalë e dyta në zgjedhjet e 6 majit, pas një fushate intensive kundër masave të ashpra të kursimit dhe kundër BE-së. Udhëheqësi i saj, Aleksis Tsipras, ka kundërshtuar fuqishëm koalicionin me konservatorët dhe socialistët që mbështesin këto masa.

Sondazhet e opinionit tregojnë se Syriza mund të fitojë zgjedhjet e përsëritura.

Greqia po përballet me presionin e shtuar të udhëheqësve evropianë për t’iu përmbajtur marrëveshjeve që ajo ka bërë për paketën e ndihmës, në vlerë prej 310 miliardë dollarësh.

Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë, ka udhëhequr fushatën e BE-së për të detyruar Greqinë që të zbatojë masat e kursimit dhe të reduktojë borxhin e saj tronditës, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së euros.

Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble, duke folur pas takimit me homologët e BE-së në Bruksel, ka kujtuar sërish përgjegjësitë e Greqisë.

“Ne jemi së bashku në Evropë. Kemi përgjegjësi së bashku dhe duhet të vazhdojmë së bashku. Mendoj se programet, për të cilat kemi punuar me Greqinë në dy vjetët e fundit, janë të arsyeshme, janë të drejta dhe ambicioze”, ka thënë Shojble.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, ka thënë të martën se dështimi i Greqisë për të formuar koalicionin e ri qeveritar është një “pengesë e rëndë”.

Pasiguria për të ardhmen politike të Greqisë ka tronditur tregjet financiare dhe ka nxitur spekulime se Greqia mund të largohet nga bashkimi monetar.

Duke folur në Bruksel, ministri spanjoll i Financave, Luis de Guindos, ka paralajmëruar për efektet anësore nëse Greqia lë Eurozonën.

“Para së gjithash, duhet të bëjmë përpjekje që të sigurohemi se Greqia nuk do të largohet nga euroja. Kjo është dëshira e secilit dhe sidomos e popullit grek, i cili nuk do që Greqia ta lërë euron. Grekët do të ishin të parët që do të vuanin largimin nga euroja”, ka thënë De Guindos. (v.t.)
XS
SM
MD
LG